Lidhje

Mishel Obama në qendër të vëmendjes në Evropë


Titujt e lajmeve janë mbizotëruar nga udhëheqësit botërorë dhe lajmet ekonomike, por një vemendje e veçantë po i kushtohet edhe Mishel Obamës. Zonja e Parë vizitoi një shkollë vajzash në Londër, si pjesë e programit të saj për nxitjen e arsimimit të vajzave, ku me sa duket la mbresa të thella tek të gjithë.

Kjo mund të jetë shfaqja e parë e presidentit të ri amerikan Obama në skenën ndërkombëtare, megjithatë duket se kudo sytë janë përqendruar tek Zonja e Parë. Pavarësisht se vjen nga një vend që krenohet me fshehjen e ndjenjave para publikut, Mishel Obama ishte plot emocione kur vizitoi një shkollë vajzash në Londër.

“Ju të gjitha jeni shumë të çmueshme dhe prekni zemrën time. Prandaj është e rëndësishme që bota ta dijë se ka vajza të mrekullueshme si ju në të gjithë botën.”

Zonja e Parë tregoi historinë e jetës së saj, se si ishte rritur në një familje të thjeshtë në lagjet jugore të Çikagos dhe si arriti deri në Shtëpinë e Bardhë.

“Dua ta dini se kemi shumë gjëra të përbashkëta. Asnjëherë gjatë jetës sime nuk do ta kisha parashikuar se do të dilja ndonjëherë këtu para jush si zonja e parë afrikano-amerikane e Shteteve të Bashkuara”.

Pjesë e programit të Zonjës së Parë është të nxisë vajzat e reja në të gjithë botën të arsimohen. Megjithatë, ishte pikërisht shfaqja e emocioneve të saj që bëri më shumë përshtypje. Vajzat vrapuan në skenë për ta takuar.

“Është e papërshkrueshme. S’mund ta them me fjalë. Kjo është aq e këndshme,” thotë një nxënëse.

Dhe me sa duket edhe Zonja e Parë po i shijon këto momente, duke vënë në jetë stilin e saj të diplomacisë gjatë çdo takimi. //ad//

XS
SM
MD
LG