Lidhje

60 vjetori i Natos simbol vazhdimësie


Natoja në 60 vjet. Ky takim i nivelit të lartë është për të treguar se Aleanca vazhdon të jetë e fortë.

Takimi ka një simbolikë tejet të madhe. Udhëheqësit e NATO-s që takohen në të dy anët e lumit Rin, një urëlidhëse nga Gjermania në Francë. Pjesë e takimit do të jenë edhe festimet, thotë zëdhënësi i NATO-s James Appathurai.

“Janë 60 vite suksese të Natos, por ne duam të hedhim veshtrimin ndaj te ardhmes. Kjo përkon me udhëtimin e parë të Presidentit Obama në Evropë, takimit të tij të parë me kolegët e Natos...dhe pikërisht edhe kjo është një gjë për të festuar. Kjo po ndodh në zemër të Evropës dhe ne mendojmë se është një moment i rendësishëm simbolik.”

Ky takim shenon gjithashtu rifutjen e Francës në komandën e Natos pas më shumë se 40 vitesh largimi. Do të ketë diskutime rreth situatës së tanishme dhe të ardhmen e Natos, përfshi Afganistanin. Presidenti amerikan Barak Obama e ka përpiluar tashmë strategjinë e re të Uashingtonit, për çështjen e Afganistanit dhe Pakistanit së bashku, duke u përqendruar në përpjekjet ushtarake dhe ato civile, si dhe duke shtuar përpjekjet diplomatike, duke përfshirë vendet fqinje si pjesë të zgjidhjes.

Kjo strategji ka gjetur përkrahje në Evropë me komentet që bëri kancelarja gjermane Angela Merkel, se strategjia e re e Uashingtonit është në të njëjtën linjë me atë që ka mbështetur Gjermania.

Dita e premte ishte një ditë takimesh bilaterale. Presidenti Obama zhvilloi takime me presidentin francez Nikola Sarkozi dhe kancelaren gjermane Angela Merkel. Ai gjithashtu zhvilloi një takim të zgjeruar me një grup të rinjsh, duke folur për ndryshime, shpresa dhe një ditë të re për marrëdhëniet Evropë-SHBA.

Masat e sigurisë janë të larta, me dislokimin masiv të forcave policore në qytet dhe përreth tij. Ka patur përleshje mes protestuesve kundër luftës, Natos dhe anarkistëve dhe pritet që ato të vazhdojnë edhe sot. //kh//

XS
SM
MD
LG