Lidhje

FMN ul parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë


Duket se efektet e krizës ekonomike botërore do të shtrihen në Shqipëri më shumë nga ç’ishte menduar. Nëse në fund të vitit të kaluar Fondi Monetar parashikonte se ritmi i rritjes ekonomike të vendit do të ulej, apo përgjysmohej, nga 6 përqind në 3 përqind, duke e mbajtur gjithsesi ekonominë shqiptare ndër më të qëndrueshmet, tani parashikimet janë edhe më të zymta.

Sot në TIranë përfaqësuesi i Fondit Monetar Gerwin Bell, i cili drejtoi një mision që zhvilloi takime në Tiranë përgjatë një jave, tha se sipas tij parashikimet për rritjen ekonomike janë në normat e zero deri 1 përqind. “Ndonëse parashikohet një ngadalësim i mprehtë në krahasim me rritjen e shpejtë të përjetuar në vitet e fundit është e rëndësishme të kuptohet, nënvizoi zoti Bella, se kushtet globale nxitëse për normat e mëparshme të rritjes i përkasin së kaluarës”. Në këtë kontekst, ai theksoi se është koha që të përshtaten politikat. Kështu ai sugjeroi që qeveria të bëjë kujdes me rritjen e pagave dhe pensioneve, të cilat sipas tij mund të kryhen vetëm nëse do të identifikohen masa të tjera kompensuese.

Po ashtu sipas fondit monetar “nuk ka hapësira për uljen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të parashikuar nga qeveria, apo ndonjë nisme tjetër shpenzimesh”. Zoti Bell tha se të gjitha të ardhurat nga privatizimet duhet të përdoren për të financuar deficitin e këtij viti.

Por qeveria shqiptare duket e qetë dhe e sigurt se të dhënat e deritanishme ekonomike dhe masat që ka parashikuar, janë të përshtatshme për t’i bërë ballë krizës. Dhe në një panoramë të tillë, ministri i Financave vlerëson se rritja e pagave dhe pensioneve do të realizohet ashtu sic qeveria ka premtuar pasi sipas tij kjo është një masë për nxitjen e kërkesës, ndërkohë që po ashtu, sërish në të kundërt të sugjerimit të Fondit Monetar, qeveria do të realizojë edhe uljen e kontributeve të sigurimeve shoqërore si një ndërhyrje në anën e ofertës. Sipas ministrit të Financave qeveria ka një fond të lartë kontingjence prej mbi 150 milion euro do të destinojë për të garantuar qëndrueshëmërinë ekonomike e financiare edhe afro 260 milion euro nga privatizimet.

Nga ana e tij Guvernatori i Bankës Qëndrore u shfaq thuajse në të njejtën linjë me Fondin Monetar.

Ai tha se që të realizohet objektivi për uljen e deficitit buxhetor duhet të rialokohen shpenzimet publike për gjatë gjithë vitit. Sipas tij “aty ku është e mundur duhen shtyrë shpenzimet jo urgjente si dhe të ripërcaktohen shpnezimet e planifikuara e që janë ende të pakryeare apo të pakontraktuara”.

Efektet e krizës në Shqipëpri janë shfaqur në uljen e ndjeshme me më shumë se 150 milion të të ardhurave nga emigrantët, në ulje të eksporteve dhe në një ngadalësim të kreditimit të ekonomisë që mund të pasohen nga një ulje edhe të investimeve.//rd//

XS
SM
MD
LG