Lidhje

Shqipëria vendos rritjen e pagave dhe të pensioneve


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha njoftoi mbrëmë se qeveria ka përfunduar përllogaritjet për rritjen më 1 maj të rrogave dhe pensioneve. Pak ditë më parë Fondi Monetar e këshilloi qeverinë që në kushtet e pasojave të krizës ekonomike të bënte kujdes më një hap të tillë. Por kryeministri Berisha shpjegoi se sipas tij ky akt është një masë antikrizë dhe se rritjet e pagave e pensioneve asnjëherë nuk kanë sjellë lëkundje të qëndrueshmërisë makroekonomike pasi qeveria nënvizoi ai i ka të siguruara të ardhurat për ta përballuar këtë masë. Kryeministri Berisha duke folur në një konferencë shtypi sulmoi mjaft ashpër Prokurorinë për hetimin e saj për cështjen e rrugës Durrës Kukës duke folur për një akt sipas tij politik.

Qeveria shqiptare ashtu sic kishte parlajmëruar ësht e vendosur t’i shkojë deri në fund premtimit të saj për rritjen e pagave dhe pensioneve. Mbrëmë kryeministri Sali Berisha tha se kishin përfunduar përllogaritjet për masën e rritjeve që do të hynë në fuqi në fillim të majit të ardhshëm. Në këtë rritje të këtij viti nuk përfshihen kategoritë e zyrtarëve më të lartë, për të ngushtuar sic tha kryeministri diferencat mes pagave të ulta dhe atyre të larta. Kreu i qeverisë mohoi akuzat e formuluara në shtyp por edhe nga opozita se kjo ndërhyrje e qeverisë bëhet për efekte elektorale duke kujtuar se qeveria e tij ka zbatuar cdo vit rritjen e pagave. Madje sipas kryeministrit ky vendim synon zbutjen e varfërisë dhe është një masë edhe antikrizë:

"Me këto rritje, qeveria shqiptare i jep përgjigje shumë të vendosur mjerimit dhe varfërisë. Mbi 800 mijë familje shqiptare të cilat jetonin me 1 dollarë në ditë për frymë, pas kësaj rritjeje, do të kenë të ardhura dy herë më shumë se katër vite më parë. Rritja e rrogave bëhet edhe për një qëllim tjetër; të rrisë kërkesën, të shtojë fuqinë blerëse në tregun e brendshëm. Dhe kjo është një masë e rëndësishme kundër pasojave të krizës".

Por nga ana e tij Fondi Monetar ndërkombëtar, javën e shkuar u shpreh hapur kundër kësaj lëvizjeje të qeverisë, pasi në një kohë kur efektet e krizës globale po ndjehen në Shqipëri, mbajtja nën kontroll e shpenzimeve për të mos helluar deficitin buxhetor, vlerësohet si një masë parndaluese. Kryeministri Berisha megjithatë deklaroi mbrëmë se qeveria e tij e realizon rritjen e pagave përmes grumbullimit të të ardhurave në buxhet:

"Unë nuk kam asgjë kundër me konceptin e FMN-së, rrogat dhe pensionet indeksohen. Mirëpo, Shqipëria ka ca specifika që mua më kanë imponuar të marr këto masa, të cilat janë faktuar të drejta. Rritja e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri nuk ka sjellë asnjëherë lëkundje të stabilitetit makroekonomik të vendit, nuk është bërë mbi bazën e rritjes së deficitit buxhetor, nuk është bërë mbi bazën e rritjes së borxhit. Përkundrazi, të gjitha këto kanë ardhur në zvogëlim, për shkak të performancës më të mirë."

I pyetur gjatë konferencës së mbrëmshme për shtyp edhe për hetimin e cështjes Durrës Kukës, ku ka qenë i përfshirë edhe ministri i jashtëm Lulëzim Basha, por që javën e shkuar u pushua nga Gjykata e lartë për shkelje të aktev proceduriale, kryemnistri Berisha përdori një gjuhë të ashper ndaj prokurorisë dhe kryeprokurores Ina Rama.

“Nuk po marr çështjen tjetër që është marrë përsipër në mënyrën më politike dhe më të keqpërdorur; pra të gjykohet akti kolektiv, pasi këtë akt nuk e kanë bërë as në diktaturë, nuk e kanë bërë as prokurorë të sëmurë psiqikë, pasi nuk gjykohet akti kolektiv. Ka një dogmë në drejtësi dhe nuk mund të gjykohet kurrë akti kolektiv. Por verbëria politike ka shtyrë prokurorinë të merret me gjykimin e aktit kolektiv, i cili është akt politik. Pra, ministri ka zero implikim personal dhe çdo gjë është vendim i Këshillit të Ministrave. Një prokurore e papërgjegjshme ndaj ligjit dhe detyrës, mori përsipër dhe mendoi se mund të gjykojë aktet kolektive. Por aktet kolektive nuk mund t’i gjykojë askush. Ju duhet të jeni të bindur se kjo nuk do të mund të kapërcehet shumë thjesht.”

Çështja e ndërtimit dhe kostos së lartë të segmentit Rrëshen Kalimash ka vazhduar të jetë në qendër të debateve edhe sepse ka shumë mundësi që Prokuroria të rihapë nga e para hetimet për të. //kk//

XS
SM
MD
LG