Lidhje

Pavarësia dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë


Përfaqësues politikë dhe analistë në Kosovë thonë se pavarësia e vendit është e pakthyeshme, por opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të ushtrojë ndikim në shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e ri. E premtja është caktuar si afat i fundit kur palët duhet të paraqesin deklaratat e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila duhet të jap një opinion lidhur me pavarësinë e Kosovës.

Më tetë tetor të vitit të kaluar Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi kërkesën e Serbisë që Gjykata të japë një opinion mbi pavarësinë e Kosovës. Beogradi e ka cilësuar këtë si fitore diplomatike dhe shpreson të pengojë njohjet e mëtejshme të shtetit të ri.

Zëvendësministrja e punëve të jashtme të Kosovës Vlora Çitaku i tha Zërit të Amerikës se kjo çështje është trajtuar seriozisht nga institucionet e vendit të cilat kanë angazhuar një ekip ekspertësh të së drejtës ndërkombëtare të drejtuar nga britaniku Majkëll Ud.

“Ne besojmë plotësisht që ekipi i ekspertëve i koordinuar nga Sir Majkëll Ud, në përgjigjen me shkrim që është qindra faqëshe, ka përdorur argumente të mjaftueshme të cilat janë shumëdimensionale, qofshin nga këndvështrimi historik, politik dhe ai juridik. Ne besojmë në pa anshmërinë e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Kosova ka një historik pozitiv në ballafaqim me gjykatat ndërkombëtare. Ne besojmë në drejtësinë e vendimit për shpalljen e Kosovës shtet i pavarur e sovran dhe po ashtu besojmë se i tillë do të jetë edhe vendimi i Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë”, tha zv/ministrja Çitaku.

Por, përfaqësues të opozitës nuk janë shumë të kënaqur me përgatitjet për këtë proces, ndonëse, siç shprehet kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pozicioni i Kosovës është mjaft i fuqishëm.

“Ne e kemi një gjendje faktike shumë të qëndrueshme. Rasti i Kosovës është një rast i qëndrueshëm dhe i fuqishëm me u mbrojtë dhe nuk kemi dilemë në këtë pjesë. Por, shprehim shqetësim në atë që është përgatitje nga ana jonë si Kosovë, për drejtësinë, për gjykatën. Me këtë rast ne u kemi dhënë përkrahje të plotë ekspertëve që u është besuar kjo përgjegjësi nga institucionet e vendit dhe mendojmë se e kanë nivelin me e përfaqësue Kosovën, por jemi të shqetësuar me nivelin e përgatitjeve të brendshme”, tha zoti Haradinaj.

Zëvendësministrja Çitaku thotë se pavarësia e Kosovës është a pakthyeshme pavarësisht nga opinioni i Gjykatës së drejtësisë.

“Si argument për këtë janë edhe njohjet të cilat e kanë pasuar vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për ta dërguar këtë çështje për mendim këshillëdhënës në Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Pra, procesi i pavarësisë është i pakthyeshëm, njohjet nuk do të ndalen, mirëpo, gjithsesi ne shpresojmë dhe besojmë që një vendim pozitiv nga ana e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, do të lehtësonte dhe përshpejtonte procesin e njohjeve”, tha zv/ministrja Çitaku.

Analisti Lulzim Peci thotë ndërkaq që pavarësisht që opinioni i Gjykatës nuk është detyrues vetë vënia e çështjes së Kosovës para saj tashmë ka ushtruar ndikim.

“Vetë kjo ka bërë që të kemi një lloj ngadalësimi në ritmin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe në anën tjetër i tërë ky proces e ka betonuar edhe qëndrimin e pesëshes evropiane e cila momentalisht është kundër njohjes së Kosovës”, tha zoti Peci Ai thotë se një vendim pozitiv për Kosovën do të ishte skenari më i mirë, ndërsa edhe një qëndrim i paanshëm nuk do të dëmtonte shumë vendin. Ndërsa një opinion i mundshëm negativ do të ushtronte ndikim afatgjatë.

“Sepse për një kohë shumë të gjatë do të bllokohet çështja e integrimeve euro-atlantike të Kosovës. Po ashtu do të kemi bllokadë gati të tërësishme sa i përket anëtarësimit në OKB dhe kjo do të jetë një çështje afatgjate që do të varet prej zhvillimit të politikave në nivel global, sepse atëherë Kosova nuk do të jetë ai faktor që do të mund ta ndryshojë këtë”, tha zoti Peci. Së këndejmi analistët thonë se vendi duhet të jetë i përgatitur por një proces të mundimshëm që mund të zgjasë nga 9 muaj deri në dy vjet. //bsa//

XS
SM
MD
LG