Lidhje

Xhon Zogbi: Amerikën e pret një e ardhme e ndritur


Pas 25 vjet punë në studimin e opinionin publik amerikan, autori i sondazheve Xhon Zogbi i agjencisë Zogbi International, ka përgatitur një studim mbi transformimin e ëndrrës amerikane në vite. Përfundimi i tij është se Amerikën e pret një e ardhme e ndritur.

Xhon Zogbi ka përdorur mijëra intervista për të analizuar sjelljen e konsumatorëve amerikanë dhe ndryshimet demografike të cilat mund të ndryshojnë jetën dhe politikën amerikane.

Shoqëria e ardhshme të cilën ai e përshkruan në studimin e tij “The Way We’ll Be” (“Si do të jemi”) do të jetë një shoqëri ku të rriturit nuk bartin kujtimet e Luftës së Dytë Botërore, të Luftës së Ftohtë, ose të tensioneve të viteve 1960.

Zogbi thotë se të rinjtë e sotëm amerikanë, të moshës nga 18 deri në 29 vjeç, janë themelet e një rryme të tolerances, të ndërgjegjësimit global dhe mbrojtjes së mjedisit:

“Unë i quaj ata qytetarët e parë globalë të Amerikës; 56 përqind e të rinjve amerikanë kanë pasaporta, kanë udhëtuar jashtë vendit dhe kanë një pikpamje më të gjerë për botën. Më duhet të shtoj se të rinjtë kanë më shumë prirje për të përkrahur politikat e balancuara në rastin e politikave të jashtme amerikane ndaj Lindjes së Mesme dhe kanë shumë më pak prirje për të hyrë në luftë me Iranin. Ata kanë më shumë prirje për të përqafuar kulturat e njerëzve të tjerë.”

Zogbi thotë se ky brez i të rinjve amerikanë do të kontribuojë shumë në përmirësimin e imazhit të Amerikës në të gjithë botën dhe në ndryshimin e kursit të njëanshëm të politikave të jashtme amerikane.

Në studimin e tij “The Way We’ll Be”, Zogbi i hedh një veshtrim sitatuatës së tanishme në të cilën gjendet Amerika. Ai thotë se po shfaqet një konsensus i ri, dhe parashikon se dasitë politike dhe kulturore të dekadave të fundit do të zbehen shpejt.

“Zgjedhjet e fundit, të cilat në shumë aspekte u përcaktuan nga të rinjtë, pasqyruan një dëshirë për të përdorur politika të qendrës dhe dypartiake në zgjidhjen e problemeve të vendit, duke mos i ndarë amerikanët në dy grupe kulturore të ndryshme. Po ashtu kemi filluar të vërejmë ndryshime mes të rinjve konservatorë. Ata janë konservatorë përsa i përket pikëpamjeve sociale, por nuk dëshirojnë të përqendrohen në çështje të cilat kanë shkatuar ndasi, si martesat e njerëzve të të njëjtit seks apo aborti.”

Xhon Zogbi vëren një riorientim thelbësor të karakterit amerikan, një largim nga konsumizmi materialist drejt një prirjeje për të qenë qytetar global. Amerikanët në të ardhmën e afërt do të jenë më të shqetësuar për rajone si Darfuri edhe në se ata nuk do ta dinë se ku ndodhet ai. Teknologjitë e reja të komunikimit, thotë ai, do të ndihmojnë amerikanët të jenë qytetarë më të mirë:

“Individët po përdorin gjithnjë e më shumë jo vetëm internetin por edhe teknologjitë e reja të cilat mundësojnë dërgimin e informacionit, komunikimin me njëri tjetrin dhe i ndihmojnë të zgjedhin vetë lajmet dhe informacionet.”


Disa prirje negative që konstaton ai kanë të bëjnë me faktin që amerikanët duken se kanë humbur besimin tek institucionet që më parë i besonin, si qeveria. Por Zogbi vëren edhe diçka pozitive: aftësinë ripërtëritëse të njerëzve në Amerikë, të cilët mund të gjejnë mënyrat e përshtatjes në kohëra të këqia. Kështu, ai arrin në përfundimin se Amerikën e pret një e ardhme e ndritur.

“Ajo që vura re në thelb ishte një pikëpamje pozitive e amerikanëve të cilët thonë se e kuptojnë se duhet të mbijetojnë edhe nëse u duhet të bëjnë një punë të keqe, se duhen të jenë krijues dhe të përfitojnë nga ajo që kanë. Pra, vërejta se ata kanë ndryshuar prioritetet dhe përkufizimin e fjalës “ëndërr”. Ata kanë ndryshuar edhe mënyrën se si shpenzojnë paratë.”

Xhon Zogbi thotë se si autor sondazhesh, mezi priste të kishte mundësinë për të paraqitur një tabllo të plotë se si do të jetë Amerika në të ardhmen, duke u bazuar mbi të dhënat e nxjerra nga analizat 25-vjeçare.

Pikërisht ky synim e nxiti atë të shkruante “The Way We’ll Be”. Ai shpreson se përmes këtij studimi do t’i sigurojë lexuesit amerikanë se megjithëse vendi gjendet në një krizë të thellë, ata do të arrijnë të mbijetojnë falë aftësisë ripërtëritëse, duke e çuar Amerikën dhe botën drejt një të ardhmeje më të mirë.//ii

XS
SM
MD
LG