Memorandumet e
bëra publike në lidhje me marrjen në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm kanë
nxjerrë në pah teknika të ashpra të miratuara nga administrata e ish presidentit
Bush për përdorim nga ana e CIA-s. Disa
nga teknikat e përdorura janë goditja me shuplakë, zhveshja lakuriq dhe privimi
nga gjumi. Memorandumet e publikuara kanë shtuar thirrjet për hetime të
mëtejshme në lidhje me këtë çështje.
Katër dokumentat e
publikuara theksojnë metodat e marrjes në pyetje si përplasja e të burgosurve
në mur, privimi i gjumit, goditja me shuplaka dhe mbytja e simuluar.Teknikat
ishin firmosur nga Departamenti i Drejtësisë gjatë mandatit presidencial të
zotit Bush.
Administrata e presidentit Obama urdhëroi publikimin e memorandumeve për të
respektuar një afat të vendosur nga Gjykata Federale pasi Bashkimi Amerikan i
të Drejtave Civile kishte paditur shtetin amerikan në lidhje me publikimin e
këtyre memorandumeve.
Enthoni Romero, Drejtor Ekzekutiv i këtij Unioni sqaron:
"Këto memorandume tregojnë qartë se ligjet janë shkelur
dhe se Departamenti i Drejtësisë justifikoi pa baza ligjore akte të qarta të
jashtligjshme të marrjes në pyetje".
Presidenti Obama tha në një deklaratë se Amerika ka kaluar një periudhë të errët dhe të dhimbshme. Ai tha se administrata e tij nuk do të ndjekë penalisht agjentët që i kanë kryer këto teknika të cilat ishin miratuar në memorandumet e lartpërmenduar.
Por Presidenti la të hapur mundësinë që të ndiqen penalisht ata që kanë vepruar pa autoritet ligjor.
Majkëll Heiden, drejtori i CIA-s gjatë mandatit të presidentit Xhorxh Bush, e kritikoi bërjen publike të këtyre memorandumeve dhe tha se kjo do të ulë bashkëpunimin e qeverive të huaja me atë amerikane.
Senatori Petrik Lihi, Kryetar i Komisionit Juridik në Senat bëri thirrje për krijimin e një komisioni të pavarur hetimi.
"Është me rëndësi që një organ i pavaruar të merret me këtë çështje, por
edhe me të tjera që ta gjykojmë këtë çështje në mënyrë të pavarur dhe
objektive", - thotë senatori Lihi
Filip Sends, profesor i ligjit në Kolegjin e Londrës flet për këtë temë:
"Unë dhe shumë të tjera duam që Amerika të hetojë veten. Kjo do të thotë dëshmi në Kongres apo edhe krijimi i një Komisioni të së Vërtetës siç është propozuar nga senatori Lihi".
Por ka nga ata që thonë se nxjerrja në pah e çështjeve të zbulimit do ta dobësonte vetë Departamentin e Zbulimit.
Frenk Gefni, President i Qendrës për Politikat e Sigurisë në Uashington, një institut kërkimor që merret me sigurinë kombëtare shprehet se:
"Tanimë punonjësit e CIAs do të kenë kujdes për çdo gjë që bëjnë, pasi veprimet
e tyre mund të vihen në pyetje dhe mbase të ndiqen penalisht. Ky është gabim i
rrezikshëm", - shprehet profesori Gefni
Presidenti Obama ka thënë se nuk i parapëlqen hetimet. Në deklaratën e tij, ai tha se duke shpenzuar kohë dhe energji mbi veprime të së kaluarës humbet vetëm kohë.//mm//