Lidhje

Roli i prokurorisë dhe lufta kundër korrupsionit


Kur këtu e një vit e gjysëm më parë kryeprokuorja Ina Rama hyri për herë të parë në këtë godinë, ishin të shumtë që panë te ajo shpresën se institucioni i akuzës do të merrte forcën për të cilën ka nevojë. Por shumë shpejt ajo u vu në provë. Në zyrë gjeti çështjen e rrugës Durrës-Kukës, për të cilën vazhdoi hetimet ndërsa më pas një tjetër cështje madhore, ajo e Gërdecit, ku përsëri mplekseshin interesa dhe njerëz të pushtetit e bëri të pashmangshëm përballjen e saj me politikën. Një përballje në të cilën, veçanërisht me pushimin e hetimeve për rastin e rrugës, shumë shohin se Prokuroria doli e humbur. Motivet apo dhe justifikimet janë të ndryshme. Njohin një pjesë të fajit te vetë institucionit dhe justifikojnë pjesën tjetër me ndikimin politik.

Mentor Kikia, gazetar i cili është marrë gjatë me kronikat gjyqësore, është i prerë në vlerësimin e tij: "Jemi të detyruar të konstatojmë një zhgënjim total, pasi çështja më e madhe që mori vëmendjen e të gjithë, ajo ndaj ministrit Basha u shndërrua në një flluskë, ajo u rrëzua pa mundur dot të jepej një vendim për fajësi apo pafajësi. Ishte një goditje dhe një shkelm shumë i rëndë për drejtësinë shqiptare mbyllja e kësaj çështjeje pa dhën një vendim. Gjykata mund ta kishte shpallur të pafajshëm por do ishte një sukses t’i ishte nënshtruar së paku këtij procesi."

Gjykata e lartë e pushoi çështjen në fillim të këtij muaji për shkelje të afateve. A ishte kjo një paaftësi e Prokurorisë apo dhe produkt i aktorëve të tjerë brenda dhe jashtë sistemit? Ish Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi thotë se akuza është pjesë e institucioneve të tjera dhe nuk mund të bëjë dallime thelbësore krahasuar me to. Dhe në rastin e fundit ndërsa njeh një përgjegjësi të prokurorisë i del në krah asaj duke shtuar se ajo ka qenë e vetme: "Ajo që mund të ngarkojë me përgjegjësi Prokurorinë është një zvarritje e hetimeve që çoi në një lojë proceduriale që ka rëndësinë e saj. Procedura tashmë po bëhet me prioritet. Në këtë pikëpamje është brenda lojës, por aktorët që marrin pjesë në këtë lojë të gjithe janë kundër prokurorisë. Edhe ata që nuk marrin pjesë. I humburi merr edhe pasojat, po gjykimi im është se humbja është e pandershme, nuk është rrjedhojë e një loje të ndershme".

Sipas zotit Rakipi gjykata nuk ka ushtruar funksionet e saj për të siguruar një proces të drejtë e të paanshëm, ndërsa politika, në të dy krahët, qoftë me sulme qoftë me heshtje ka qenë kundër prokurorisë, deklaron zoti Rakipi.

Ndërsa avokat Spartak Ngjela, deputet i shkëputur prej kohësh nga partia demokratike për shkak të përplasjes së tij me kryeministrin Sali Berisha, sheh te Prokuoria një mungesë kurajo për t’u përballur me pushtetin: "Pse humbën afatet? Një krah nga paftësia dhe nga ana tjetër se në momentet që do i komunikonte akuzën ishte i detyruar të merrte masën e sigurisë. Dhë për 240 milion euro nuk mund të lësh dot njeri të lirë. Pra nuk ka patur kurajo që ta arrestojë. Ka patur një vendim qeverie që ngrihet kryeministri që thotë se ka një vendim kolegjial. Cdo të thotë vendim kolegjial? Për 240 milion euro të zhdukura edhe 240 anëtarë qeverie futen në burg"

Për avokat Ngjelën megjithatë prokuorisë i duhet dhënë mbështetje. Ai nënvizon faktin se për herë të parë ky institucion u ngrit mbi nivelin e krimit të ulët për të shkuar në majat e larta të korrupsionit duke ngritur akuzë ndaj njerëzve me pushtet: "Prokuroria e bëri një hap në sensin historik, po a do e çoj dot deri në fund. Eshtë frika, është presioni, është korrupsioni moral? Por a do tërhiqet apo do të hetojë deri në fund? Kemi kohë të shikojmë. Të paktën të shikojmë atë të Gërdecit që është një krim shumë i shëmtuar. Janë vrarë 26 njerëz të pafajshëm nga një trafik armësh mizerabël që ka marrë karakter ndërkombëtar":

Por për zotin Kikia trysnia politike nuk mund të jetë një alibi për Prokurorinë: "Prokuroria dhe prokurorja e përgjithshme duhet të ishte përgatitur se do të punojë në një ambient aspak paqësor. Në asnjë vend nuk ka prokurorë të jenë të mirëpritur në zyrat e shtetit për të hetuar korrupsionin dhe skandalet që bën qeveria. Unë nuk e quaj arsye madhore sulmet ndaj prokuorisë për të justifikuar dështimet."

Megjithatë ish kryeprokuori Arben Rakipi, i akuzuar në atë kohë se vepronte politikisht e që u largua nga posti si pasojë e lojërave të klasës politike thotë se nuk është e lehtë të veprosh i vetëm: "Presioni ndaj Prokuorisë është shumë i madh dhe ju siguroj që është mjaft e vështirë për të manovruar i vetëm në këtë situatë".

Rasti i vendimit të gjykatës së lartë dhe zbulimi nga mediat se në një rast analog po kjo gjykatë kish marrë një vendim të ndryshëm ka rikthyer pikëpyetjet mbi drejtësinë. Të gjithë duket se janë në një mendje që gjykatat shqiptare nuk veprojnë lirshëm.

Në gjithë këtë situatë, prokuroria ka preferuar heshtjen, apo deklarata gjysmake si në rastin e akuzave që u ngritën në shtyp se kishte lënë jashtë hetimit një kompani të pronarit të gërdecit Mihal Delijorgji. Vetëm sot, në ecje e sipër, kryeprokurorja tha një fjali: "Ju duhet ta keni dëgjuar se vendimi i Gjykatës së Lartë është i formës së prerë".

Një fjali e cila duket se është guri mbi dosjen e varrosur vetëm për çështje kohe. Dy vjet hetime, energji njerëzore e shpenzime u tretën pa patur përgjegjës, të paktën deri tani. //rd//

XS
SM
MD
LG