Lidhje

Armët bërthamore të Iranit, përparësi për administratën Obama


Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha se Shtetet e Bashkuara po marrin masa përgatitore për sanksione të reja kundër Iranit në se thirrjet drejtuar Teheranit për programin e tij bërthamor dështojnë të japin rezultate. Zonja Klinton tha se thirrjet e administratës Obama për dialog i japin më shumë epërsi përpjekjeve për ta bindur Iranin të ndalë pasurimin e uraniumit.

Sekretarja Klinton i tha Kongresit se politika e ripajtimit me Iranit nuk është pa kufi dhe në se përpjekjet për ta bindur këtë vend të ndalë pasurimin e uraniumit dhe kthimin në negociata për programin e tij bërthamor dështojnë, Teherani do të përballet me sanksione më të ashpra.

Sekretarja ngriti prespektivën e sanksioneve shtesë në një seancë të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë drejtuar nga kryetari Howard Berman, i cili tha se është i shqetësuar se Irani mund ta shohë qasjen më miqësore të Shteteve të bashkuara si një dritë jeshile për të vazhduar programin e armëve bërthamore.

“Nuk mund të përjashtojmë faktin se përpjekjet e Iranit për të zhvilluar kapacitetin e armëve bërthamore po vazhdojnë dhe se ky angazhim nuk mund të jetë pa kufi sa të arrijë të kalojë kufirin që kërkojmë të mënjanojmë përmes angazhimit”.

Sekretarja Klinton i tha zotit Berman se administrata Obama nuk ka asnjë iluzion rreth angazhimit me Iranin dhe po operon në dy kanale, duke ofruar dialog por edhe duke përgatitur masa ndëshkuese shtesë në se nuk arrihet qëllimi.

“Ne duam t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit iranianëve për të diskutuar një gamë çështjesh duke pasur parasysh se ata janë të gatshëm gjithashtu të bashkëpunojnë. Ashtu siç tha edhe presidenti në fjalimin e tij të inaugurimit, ne do të zgjasim dorën dhe ata duhet të hapin grushtin. Por ne po bëjmë gjithashtu punë përgatitore për të hartuar sanksione që mund të jenë të nevojshme në rast se ofertat tona do të kundërshtohen ose në se procesi është i paqartë apo i pasuksesshëm”.

Sekretarja tha se përpjekja e administratës për t’u angazhuar me Iranin për çështjet bërthamore dhe tema të tjera do të forcojë pozicionin e saj për të kërkuar sanksione ndërkombëtare shtesë në se do të jetë e nevojshme.

Administrata Bush nuk pranoi të kishte kontakte direkte me Iranin pa një angazhim paraprak nga Teherani për të ndalur pasurimin.

Por administrata e re është angazhuar të jetë e pranishme në bisedime me Iranin dhe pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermaninë. (ze)

XS
SM
MD
LG