Lidhje

Komision hetimor ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama


Megjithëse rendi i ditës i parlamenti parashikonte si rrallë herë një numër të madh çështjesh për diskutim që nga heqja e imunitetit për depuetin e LSI Nikollaq Neranxi deri te kontrata privatizimesh e komisione hetimore, ai mbaroi punë brenda një kohe të shkurtër në një sallë ku opozita sërish mungonte dhe qëndroi në sallë vetëm në hapje të seancës për të protestuar sërish për cëhstjen e kartave të identitetit.

Socialistët nuk duken shumë të shqetësuar për ngritjen e komisionit hetimor ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe kryetar i partisë së tyre. Ata vlerësojnë se një komision i tillë bie ndesh me një vendim të gjykatës kushtetuese që pengon hetimet ndaj pushteteve të tjera të pavarura, dhe se afati i komisionit shkel edhe regulloren e komisioneve të cilët sipas tyre nuk mund të funksionojnë në katër muajt e fundit të mandatit të parlamentit.

Megjithatë komisioni sot u ngrit për të hetuar lejet e ndërtimit të dhëna nga bashkia e Tiranës, të cilat prej vitesh janë objekt akuzash për korrupsion ndaj zotit Rama: "Qëllimi i krijimit të komisionit hetimor është hetimi i rasteve korruptivem, kliebnteliste dhe në konflikt të hapur interesi të lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Cështjet që do të hetohen lidhen me praktikat dhe procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste dhe në konflikt interesi në kundërshtim me ligjin duke krijuar një kartel të paligjshëm ndërtimi. Bllokimi dhe mosdërgimi i planit rregullues për miratim sipas ligjeve dhe abuzimet me dhënien e lejeve të ndërtimit në mungesë të këtij plani rregullues".

Parlamenti miratoi sot gjithashtu edhe dhënien e drejtpërdrejtë të licencës së katërt të telefonisë celulare një konsorciumi të përbërë nga Posta e Kosovës dhe një grupi biznesmenësh shqiptarë. Kjo licencë ka qenë këto ditët e fundit objekt i dyshimeve të forta të ngritura nga shtypi për faktin se qeveria po e jep pa garë një licencë të tillë kur legjislacioni shqiptar parashikon të kundërtën. Po ashtu kjo cështje u fut në parlament në thyerje të të gjitha rregulloreve dhe me një shpejtësi të pashjegueshme. U mirtua vetëm nga një komision duke anashkaluar komisionin e ligjeve dhe të ekonomisë. Ndërsa sot u fut në rendin e ditës për miratim kur ky rend u miratua vetëm pak përpar hapjes së seancës. I vetmi arsyetim nga ana e qeverisë është se ajo jepet për interes publik por pa treguar bazën ligjore mbi të cilën mbështetet: "Në mënyrë absolute nuk është bërë as edhe lëshimi më i vogël ndaj askujt por ka patur përpjekje gjatë procesit të këtij licensimi, nga më të papranueshmet, për të përfituar në mënyrë të paligjshme licencën", tha kryeministri Sali Berisha.

Kryeministri më tej lëshoi një varg akuzash ndaj opozitës, kryetari i së cilës sipas tij ka qenë i interesuar për këtë licencë. Por në të vërtetë opozita socialiste, përjashto ndonjë zë të izoluar dhe me nismë personale, nuk ka mbajtur asnjë qëndrim, për shkak të një zgjedhjeje personale të kryetarit të saj Edi Rama për të mos e kundërshtuar. Edhe kryetarja e grupit parlamentar e cila foli për kartat e identitetit e përmendi thuajse shkarazi duke komentuar procedurat: "Një vendim për një privatizim startegjik të merret në një komision pasdite në mungesë të deputetëve të kuvendit, është një veprim skandaloz i cili është bërë me ndërgjegje kur dihej se opozita nuk ka marrë pjesë në parlament dhe në komisione për arsye të kartave të identitetit".

Parlamenti miratoi gjithashtu sot edhe kontratën për shitjen e aksioneve të operatorit të sistemit të shpërndarjes kompanisë ceke CEZ, një kontratë e cila gjithashtu provokoi debate javët e shkuara për mënyrën e trajtimit të shumës së borxhit që kjo kompani do merrte përsipër të shlyente.


XS
SM
MD
LG