Lidhje

Shqipëri: Çështja e letërnjoftimeve drejt zgjidhjes


Në Shqipëri, falë ndërhyrjes së përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar shumica dhe opozita duket se po shkojnë drejt gjetjes së një zgjidhjeje për problemin aq të debatuar të letërnjoftimeve. Palët kanë rënë dakord në parim për të mbyllur çështjen, duke pranuar që personat të cilët nuk kanë pasaportë të paguajnë vetëm 200 lekë për të blerë kartën por duke evituar disa hallka proceduriale. Ekspertët e të dyja palëve kanë nisur kontaktet për anët teknike.

Sërish një zgjidhje me ndërmjetësinë e të huajve dhe sërish një zgjidhje in extremis. Kur koha po ngushtohet së tepërmi, ndërhyrja e një grupi ambasadorësh, atij amerikan, të Komisionit Europian, të OSBE-së dhe asaj Çeke që mban presidencën e radhës së BE, duket se po mundëson zgjidhjen e ngërçit të krijuar për çështjen e letërnjoftimeve.

Ambasadorët kanë takuar në dy ditët e fundit kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Pesha e madhe e shteteve dhe institucioneve që këta ambasadorë përfaqësojnë e ka lehtësuar punën e tyre të ndrmjetësimit.

Në parim, si kryeministri ashtu dhe kryetari socialist kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë për një zgjidhje të shpejtë edhe për formulën. Ajo duket se do të përshtatet me propozimin e bërë dy ditë më parë nga Partia Socialiste e cila kërkonte shmangien e procedurave burokratike për pajisjen me letërnjoftime të qytetarëve dhe reduktimin e tyre në një të vetme.

Pra, në një sportel të vetëm ku qytetari mund të përmbyllë të gjthë ciklin e nevojshëm për të marrë dokumentin e ri të identifikimit. Bëhet fjalë për kategorinë e personave të cilët nuk kanë pasaportë e për pasojë nëse nuk pajisen me letërnjoftim nuk do të mund të votojnë.

Socialistët duket se kanë lëshuar pe nga ideja e tyre që dokumenti i ri të jepet falas.

Tani të dy palët po punojnë në nivel ekspertësh për të parë se sa efikase mund të jetë kjo formulë në zbatimin e saj në terren. Janë ende afër 500 qytetarë pa pasaporta që nuk kanë aplikuar për letërnjoftim dhe duke marrë parasysh ditët e mbetura, do të nevojitet një angazhim total për të përmbyllur procesin.

Prej javësh, çështja e letërnjoftimeve është kthyer në një temë pëplasjesh politike. Socialistët vunë alarmin sepse sipas tyre, zgjedhjet dhe standardet e tyre po viheshin në rrezik. Edhe sinjalet e lëshuara nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar ishin se të gjithë qytetarëve u duhej siguruar mundësia për të votuar.

Qeveria shqiptare i cilësoi në mënyrë të përsëritur ankesat e opozitës si përpjekje për të denigruar procesin, por në kohë të ndryshme ndërhyri me disa masa të cilat megjithatë nuk i dhanë zgjidhje përfundimtare problemit. Nëse ishte premtuar se të gjithë shqiptarët do të mund të votonin me letërnjoftimet e reja, tani po kërkohet që këtë dokument ta kenë të paktën ata që nuk kanë pasaporta.

Temperaturat politike në Shqipëri kanë kohë që janë ngritur dhe duket se gjithnjë e më tepër ato do të regjistrojnë nivele të larta.

Shumica në pushtet, dy muaj përpara zgjedhjeve, vendosi dje ngritjen e një komisioni hetimor ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës Edi Rama për ta hetuar për çështjen e lejeve të ndërtimit, problem për të cilin, ndaj tij, disa herë janë artikuluar akuza për korrupsion. Por mbrëmë zoti Rama u përgjigj duke e konsideruar komisionin hetimor të ngritur nga Partia Demokratike dhe akuzat e saj si sulme të ulta. //ii

XS
SM
MD
LG