Lidhje

Turqi-Armeni: Marrëdhëniet shohin dritë përmirësimi


Turqia thotë se ka rënë dakord për një plan për përmirësimin e marrëdhënieve të acaruara për një kohë të gjatë me Armeninë fqinje. Njoftimi ka ngjallur shpresat se tensioneve dhe konflikteve një shekullore mes dy vendeve mund t’u ketë ardhur fundi.

19-vjeçarja Ana është nga qyteti armen i Jerevanit, por punon si kujdestare fëmijësh për një familje në Stamboll. Ajo është mes mijra të rinjve armenë që janë larguar nga vendi dhe tani punonë ilegalishte në Turqinë fqinje.

Ana thotë se “këtu mund të punosh, të blesh gjëra dhe të bësh çfarë të duash. Në Armeni nuk mund të jetosh si këtu, sepse nuk ka punë, por edhe në qoftë se ka, paguhesh shumë pak. Ekonomia në Armeni është e vdekur dhe këtu jetoj më mirë me familjen time”.

Por në 16 vjetët e fundit, Tuqia ka mbajtur një embargo ekonomike ndaj Armenisë, pas luftës së këtij vendi me Azerbajxhanin. Armenia ende mban të pushtuar një të pestën e territorit azerbajxhanas.

Lufta kundër një vendi të rëndësishëm aleat të Turqisë i shtoi edhe më tej tensionet historike mes Turqisë dhe Armenisë.

Jerevani akuzon Turqinë për gjenocidin e vitit 1915, akuzë që Ankaraja e hedh poshtë. Ajo thotë se vrasjet e armenëve gjatë Perandorisë Otomane ndodhën gjatë një lufte civile ku u vranë edhe shumë turq.

Por megjithë tensionin shekullor, muajt e fundit është vënë re një farë përmirësimi në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Për një ndeshje futbolli që u zhvillua në Jerevan shtatorin e kaluar, Presidenti Turiqisë Abdullah Gul, u ftua nga homologu i tij armen. Gjatë muajve që pasuan, periudha e gjatë mosbesimit mes dy vendeve duket se është lënë mënjanë dhe po zhvillohen bisedime intensive për t’i dhënë fund embargos ekonomike të Turqisë ndaj Armenisë.

Minsitri turk për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Ergemen Bagis është optimist për marrëdhëniet e dy vendeve në të ardhmen.

"Në Turqi jetojnë rreth 70 mijë armenë. Shumica punojnë ilegalisht, si kujdestarë apo si infermierë, ose për fëmijët e vegjël ose për të moshuarit. Këtu po flasim për 15 përqind të armenëve që mbështeten financiarisht nga paratë që u shkojnë nga ata që punojnë në Turqi. Por kur flasim për këta punëtorë, duhet të kemi parasysh edhe një gjë tjetër, pikërisht se turqit u besojnë armenëve jetën e fëmijëve dhe të të moshuarve. Kjo më bën të shikoj qartë të ardhmen dhe të besoj se paqja është e mundur”.

Saropi, një armen turk, thotë se ulja e tensioneve është më e rëndësishme se sa njohja e gjenocidit, por populli turk duhet ta ndjejë dhimbjen që ka ndjerë populli armen në vitin 1915.

Heqja e embargos turke është bërë temë diskutimi në shumë programe televizive të Turqisë dhe po dominon pjesën më të madhe të medias në vend, shumica tejet kritike ndaj qeverisë, që akuzohet se është thyer para presionit ndërkombëtar dhe po e braktis Azerbajxhanin.

Gazetari dhe ananlisti politik, Nuray Mert, argumenton.

"Kjo është një çështje e mprehtë, pasi sistemi ndërkombëtar e detyron Turqinë të normalizojë marrëdhënit, por nga ana tjetër është presioni i brendëshëm që mund të manipulohet lehtësisht nga partitë e opozitës, që luajnë kartën e Azerbajxhanit. Të njejtën gjë është duke bërë edhe shtypi kundër qeverisë. Prandaj për mendimin tim qeveria gjendet në një pozitë të vështirë”.

Pasojat e kësaj situate po ndjehen. Presidenti i Azerbajxhanit ra dakord këtë muaj t’i shiste Rusisë dhe jo Turqisë rezerva të mëdha gazi. Kjo nuk është marrëveshje e detyruar por shikohet si paralajmërim për Turqinë, që të mos hapë kufijtë me Armeninë, në qoftë se Jerevani nuk tërheq forcat nga Azerbajxhani. Ekspertët thonë se kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë së shpejti.

Por Uashigtoni po i bën presion Ankarasë të hapë kufijtë sa më shpejt, duke e vënë Turqinë në një pozitë gjithnjë e më të vështirë.//ii

XS
SM
MD
LG