Lidhje

OSBE: Problemet e krijuara nga 2 sisteme arsimore në Kosovë


Nxënësit serbë të cilët jetojnë në zonat me shumicë serbe në Kosovë prej dhjetë vjetësh vijojnë mësimin në bazë të plan-programeve të ministrisë së arsimit të Serbisë. Nxënësit shqiptarë dhe ata të komuniteteve të tjera, mësojnë sipas plan-programit të Kosovës.

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tërheq vërejtjen se ekzistimi i tillë i dy sistemeve arsimore në Kosovë ndikon në izolimin e nxënësve nga mjedisi shoqëror duke përforcuar kështu ndarjet etnike. Shefi i këtij misioni, Werner Almhofer, duke publikuar sot një raport për komunitetet jo shumicë në Kosovë dhe sistemet arsimore të nivelit fillor dhe të mesëm, vuri theksin në nevojën e krijimit kushteve të barabarta për arsim për të gjitha komuniteteve.

“Ne mendojmë se cilësia e mirë e ofruar për të gjitha komunitetet është thelbësore për Kosovën dhe se arsimi duhet të fuqizojë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, në mënyrë që ata të gëzojnë mundësi të barabarta dhe të integrohen në shoqëri, por në të njëjtën kohë të ruajnë dhe zhvillojnë edhe identitetin e tyre... Padyshim, detyrat janë mjaftë të vështira, meqë plan programi arsimor në gjuhën serbe akoma nuk është hartuar”, thotë ambasadori i OSBE-së, Almhofer.

Por një gjë e tillë kundërshtohet nga zëvendësministri i arsimit Agim Hysen. Sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka plan programin arsimor edhe në gjuhën serbe, por ai, nuk zbatohet nga vet serbët. Zëvendësministri Hyseni përmend financimin e mësimdhënësve serbë nga qeveria e Serbisë si një nga problemet kryesore që vështirësojnë sipas tij integrimin e komunitetit serb në shoqërinë në Kosovë...

“ Konsideroj se është një keqkuptim që e përshkon raportin që nga fillimi deri në fund. Në mes të tjerash, ën raport theksohet se plan programet në gjuhën serbo-kroate shfrytëzohen nga Republika e Serbisë meqë nuk ekzistojnë plan programet në gjuhën serbe, dhe kjo fillon nga faqja e parë deri tek rekomandimet. Ndërsa, ne kemi planet dhe programet në gjuhën serbe të hartuara nga MASHT por që nuk shfrytëzohen”.

Ministria e Arsimit e Kosovës ka formuar dy ditë më parë një komision për rishikimin e plan-programit arsimor për nxënësit serbë të Kosovës në funksion të integrimit të tyre në sistemin arsimor të vendit. Boban Stojanoviç, deputet në Parlamentin e Kosovës shprehu dyshimin për një integrim të shpejtë të nxënësve serbë në sistemin arsimor të Kosovës.... “Unë nuk do t’i lejoj fëmijët e mi që të mësojnë diçka dhe të marrin diplomë e cila nuk do të pranohet, por as diçka që nuk është identitet i popullit serb dhe as që do ta kërkojë nga dikush tjetër një gjë të tillë. Por ta shohim së pari se çka do të na ofrohet pastaj do ta japim qëndrimin përfundimtar”.

Integrimi i komuniteteve, posaçërisht atij serb shihet si një nga sfidat më të mëdha për institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e komunitetit serb të përkrahur nga Beogradi vazhdojnë ta kundërshtojnë pavarësinë Kosovës dhe rrjedhimisht edhe veprimet e institucioneve të saj.

Një grup serbësh ka protestuar edhe sot kundër rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve në një lagje në pjesën veriore të Mitrovicës. Policia ka përdorur sërish gazin lotsjellës për të shpërndarë dhjetëra protestues serbë të cilët nuk pajtohen me kthimin e fqinjëve të tyre shqiptarë. Autoritetet u bënë sot sërish thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të heqin dorë nga përpjekjet për të penguar rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të djegura gjatë luftës së vitit 1999, dhe të shmangin çdo formë të dhunës për zgjidhjen e pakënaqësive të tyre. //ad//

XS
SM
MD
LG