Lidhje

Qeveria e Shqipërisë në mbrojtje të marrëveshjes me Greqinë


Marrëveshja e nënshkruar dy ditë më parë në Tiranë shkaktoi shqetësime pas publikimit në shtyp të dyshimeve se përmbajtja e saj i linte Greqisë sipërfaqe të konsiderueshme detare në kurriz të kufijve shqiptar në detin Jon.

Nuk është hera e parë që Shqipëria realizon një marrëveshje për përcaktimin e kufijve të saj detar. Ajo e ka bërë këtë me Italinë. Dhe sipas ministrisë së jashtme shqiptare, akti i realizuar me Greqinë ishte një detyrim i konventave ndërkombëtare në të cilat Shqipëria bën pjesë. Drejtoresha juridike në këtë ministri, Ledia Hysi tha se edhe parimet mbi të cilat ishte realizuar vija ndarëse mes dy shteteve kishte respektuar parimet ndërkombëtare: "Parimi i përdorur për përcaktimin e vijës kufitare është ai i baraslargësisë që do të thotë përcaktohet kufiri detar ose ndryshe vija ndarëse në det në largësi të njejtë nga të gjitha pikat e vijës bazë të shteteve bregdetare".

Por debati i hapur nga Gazeta Shqiptare e cila ofronte sot matje të ekspertëve të angazhuar prej saj, hidhte dyshime të forta se pikërisht ky parim nuk ishte mbajtur parasysh

Por sipas komandantit të Flotës detare Kristaq Gerveni në matjet e referuara në shtyp nuk ishin mbajtur parasysh pikat e marrëveshjes: "Kam vënë re se është abuzuar me matjen nga distanca që nuk respektojnë nenet e kësaj konvente".

Edhe zonja Hysi këmbënguli në faktin se marrëveshja nuk i ka hequr sipërfaqe Shqipërisë, aq më tepër kur mes dy vendeve nuk ka patur një kufi ndarës detar: "Shqipëria nuk ka dhën dhe as ka marrë asnjë metër katror të hapësirës së saj territoriale nga kjo marrëveshje".Sipas autoriteteve shqiptare marrëveshja është me rëndësi, pasi që nga ky moment Shqipëria duke e patur të qartë sipërfaqen e saj detare mund të shfrytëzojë të gjitha pasuritë ujore dhe të nëntokës në këtë pjesë të detit Jon. //rd//


XS
SM
MD
LG