Lidhje

Sa do t'i dihmojë demokratët përfshirja e Senatorit Spekter


Drejtuesit e partisë republikane në Washington këtë javë paralajmëruan për rreziqet e një pushteti pa kontroll pasi një nga senatorët më të njohur u shkëput nga partia e tyre për t'u bashkuar me demokratët. Ndryshimi i përkatësisë politike të senatorit Arlen Specter i jep partisë së presidentit Obama vota gati të mjaftueshme në senat për të kapërcyer bllokimin e mundshëm të procedurave për miratimin e ligjeve. Megjithatë ekspertët politikë thonë se elementët e moderuar në anën e demokratëve mund të mos ndjekin prirjen e partisë në një numër çështjesh të rëndësishme.

Në Shtëpinë e Bardhë ishte momenti dje për dy kolegë të vjetër të shfaqnin hapur miqësinë mes tyre – senatori Arlen Specter dhe nënpresidenti Joe Biden.

"Kemi marrë trenin bashkë për kaq vite, kemi vizituar familjet dhe shtëpitë e njëri tjetrit."

Edhe më pranë tani, pasi zoti Specter ndryshoi partinë, duke u larguar nga republikanët dhe duke iu bashkuar partisë së zotit Biden dhe Obama.

"Sot, kam nderin të qëndroj përkrah demokratit më të ri të shtetit të Pensilvanisë."

Është lajm i mirë ky për administratën dhe partinë demokrate, thotë profesori Xhon Sajds i Universitetin George Washington.

"Demokratët kanë tani një kontroll më të madh. Ky është një moment i rëndësishëm për ta."

Së bashku me senatorin Specter, demokratët kanë tani 59 vota në senat. Kjo është vetëm një votë më pak të ashtuquajturës shumicë absolute që do t'i jepte partisë forcën për të miratuar ligje, duke kapërcyer procedurat e bllokimit, një taktikë e partive pakicë për të ndalur projektligjet.

Këtë vit, një tjetër demokrat, Al Franken nga Minesota mund të ulet në senat. Ai kryeson në rinumërimin e votave në zgjedhjet e këtij shteti dhe ka të ngjarë të dalë fitues ndaj rivalit republikan.

Drejtuesit republikanë paralajmëruan se demokratët mund ta marrin nëpër këmbë partinë e tyre pakicë.

"Kjo do të thotë të eleminosh kontrollin dhe baraspeshën që amerikanët kanë kërkuar historikisht."

Por zoti Specter shpesh ka kundërshtuar drejtuesit e partisë republikane dhe ka votuar me demokratët. Ai tani thotë se mbetet një zë i pavarur për votuesit e Pensilvanisë që e kanë zgjedhur atë gjashtë herë.

"Unë nuk do të jem automatikisht vota e 60 për demokratët."

Ka të tjerë demokratë në Senat që thonë se përfaqësojnë votuesit konservatorë e që nuk pajtohen me iniciativat e partisë demokrate.

"Do të shohim se për çështje të ndryshme do të ketë më shumë negociata brenda partisë për t'u siguruar që të gjithë janë të një mendimi."

Ai thotë se kjo do të shihet kur të diskutohen përpjekjet e administratës për ta bërë kujdesin shëndetësor të përballueshëm për miliona amerikanë që nuk e paguajnë dot.

Përsa i përket taksës së propozuar për çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë, demokratët e moderuar ka mundësi gjithashtu të kundështojnë.

Por sipas studiuesve të shkencave politike, e kaluara tregon se ata që ndryshojnë partinë, si zoti Specter, lëvizin politikisht në drejtimin e partisë së tyre të re.

Këshilltari republikan Tom Feehery, thotë se ndryshimi i zotit Specter është një dështim për partinë e tij dhe i lehtëson vendimet për demokratët.

"Republikanët do të jenë më të distancuar nga vendim-marrja në kongres, pasi ata nuk do të jenë të rëndësishëm në këtë proces. Në fakt, kjo lëvizje vë nën presion demokratët. Nuk do të ketë më vend për justifikime se planet e tyre po bllokohen nga republikanët."

Si mendon demokrati më i ri?

"Zoti president mendoj se mund t'ju ndihmoj. Ju keni ndërtuar një administratë me të cilën ndjehem shumë i kënaqur."

Kjo marrëdhënie e re megjithatë do të testohet gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm. //ad//

XS
SM
MD
LG