Raporti i ri vjetor i
Departamentit amerikan të Shtetit thekson se al-Kaida mbetet “kërcënimi më i
madh terrorist” për Shtetet e Bashkuara.
Në raportin mbi terrorizmin global thuhet se sulmet terroriste në
Pakistan u dyfishuan muajin e kaluar.
Al-Kaida po e shfrytëzon Pakistanin për të riorganizuar dhe planifikuar sulmet
në vendet perëndimore, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit. Al-Kaida dhe aleatët e saj po shfrytëzojnë
zona të thella në Pakistan si strehime të sigurta dhe kampe stërvitjeje për
terroristët. Në raport thuhet gjithashtu se al-Kaida ka dërguar luftëtarë nga Pakistani për
kryengritjen në Afganistan.
Stabiliteti i Pakistanit u bë burim shqetësimi për Shtetet e Bashkuara vitin e
fundit, ndërkohë që talebanët avancuan në një distancë 100 kilometrash nga
kryeqyteti i vendit, Islamabad. Numri i
sulmeve terroriste në Pakistan vitin e kaluar u dyfishua, thuhet në raport. Koordinatori i Departamentit të Shtetit për luftën kundër terrorizmit, Ronald
Shliker, thotë se kërcënimi është në rritje.
"Neve do të na duhet të gjejmë
mënyra për të trajtuar gjendjen në të gjithë zonën dhe jo vetëm ndihma jonë por
edhe ndihma e komunitetit ndërkombëtar po e aftëson qeverinë e Pakistanit të
përballojë problemet akute të sigurimit”.
Në raport thuhet se numri i vrasjeve nga sulmet terroriste nëpër botë ra rreth
30 përqind vitin e kaluar, kryesisht për shkak të rënies së theksuar të sulmeve
terroriste në Irak. Në të thuhet se kërcënimi i al-Kaidës në Irak u pakësua si rezultat i largimit
të anëtarëve të saj nga vendi dhe humbjes së kontrollit të organizatës
terroriste në disa zona. Zoti Shliker thotë se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre kanë bërë
përparim në luftën kundër terrorizmit.
"Udhëheqësit e al-Kaidës në Irak
dhe Pakistan u vranë.Udhëheqësit
terroristë u detyruan të merrnin arratinë dhe të qendronin të fshehur.Disa dhjetra vende miratuan ligje të reja
kundër terrorizmit”.
Në raport vihet në dukje edhe një herë se Irani mbetet vendi kryesor që
mbështet terrorizmin.Irani vazhdon të
mbështesë grupet terroriste me qëllimin për të avancuar qëllimet e tij në
rajon, përfshirë këtu grupet që vënë në shënjestër forcat e sigurimit dhe
civilët në Irak. Zoti Shliker thotë se grupet terroriste po e shfrytëzojnë median për të
promovuar çështjet e tyre. Ai thotë se
Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë për t’iu kundërvënë propagandës së tyre më
me efikasitet.
"Ne ende kemi përballë një armik me
një shtrirje të gjerë bazash dhe tepër të adaptueshëm, që zotëron një makineri
propagandistike profesionale dhe mjaft të sofistikuar. Ata përpiqen
intensivisht që të shfrytëzojnë median dhe veçanërisht internetin për të arritur
qëllimet e tyre”.
Në raport thuhet se operativët e al-Kaidës në Afrikën Lindore dhe ekstremistët al-Shabab në Somali përbëjnë kërcënimin më
serioz për interesat amerikane dhe të aleatëve në rajon. Mbetet gjithashtu çështje kritike që Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, nuk
bashkëpunon në përpjekjet e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit, thuhet në
raportin e Departamentit të Shtetit për terrorizmin global. //iç//