Lidhje

Obama do të mbajë në Egjipt një fjalim drejtuar botës myslimane


Presidenti Barak Obama do të shkojë në Egjipt muajin e ardhshëm për të mbajtur një fjalim drejtuar botës myslimane.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha se Egjipti është një vend i cili në shumë aspekte përfaqëson zemrën e botës arabe. Ai tha se fjalimi nuk do t’i drejtohet udhëheqësve por më tepër komunitetit mysliman në tërësi.

Gjatë fushatës si dhe në fjalimin e tij të inaugurimit, zoti Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet t’i shtrijnë dorën botës myslimane. Në muajin prill, Presidenti Obama vizitoi Turqinë ku mbajti një fjalim në parlamentin e vendit, në të cilin tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë në luftë me fenë islame.

Që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë në muajin janar, disa vendime që ka marrë Presidenti Obama si mbyllja e qendrës së paraburgimit në Guantanamo brenda një viti dhe ndalimi i teknikave të ashpra të marrjes në pyetje, janë mirëpritur në botën myslimane.

Zoti Gibs tha se gjatë udhëtimit të tij Presidenti Obama do të vizitojë edhe Gjermaninë dhe Francën. //ap

XS
SM
MD
LG