Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, Nensi Pelozi thotë se Iraku dhe Shtetet e Bashkuara duhet të përmirësojnë procesin e mbledhjes së informacioneve sekrete në përgatitje për tërheqjen e trupave amerikane nga vendi.
Zonja Pelozi e bëri këtë koment sot në Bagdad, ku mbërriti në një vizitë të paparalajmëruar.
Ajo tha se Irakut do t’i duhet një prani më e fortë e shërbimeve të zbulimit në momentin kur prania ushtarake amerikane do të zvoglohet.
Pelozi tha se ajo dhe kryeministri irakian Nuri al-Maliki diskutuan plane për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Iraku.
Zonja Pelozi tha se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për ta respektuar marrëveshjen mes dy vendeve për tërheqjen e trupave.
Presidenti amerikan Barak Obama është zotuar se do të tërheqë të gjitha trupat amerikane nga Iraku para gushtit të vitit 2010. //ek