Lidhje

Banka Botërore: Kina mund të ndihmojë rimëkëmbjen ekonomike


Presidenti i Bankës Botërore Robert Zollik thotë se parashikimi për ekonominë globale mbetet i pasigurt, por Kina mund të ndihmojë për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Presidenti i Zollik foli dje në një konferencë në Uashington. Ai tha se ka marrë informacione të ndryshme nga ekonomistët dhe udhëheqësit financiarë.

“Mënyra se si i kuptoj unë këto informacione është se ne ende përballemi me një nivel të lartë pasigurie. Por sigurisht do të ishte një gabim i madh të lejonim pasigurinë të na paralizonte”.

Zoti Zollik i inkurajoi udhëheqësit e biznesit që të investojnë në tregje në zhvillim, duke thënë se ato do të paraqisnin shanse të reja kur bota të dalë nga kriza aktuale. Ai tha gjithashtu se kishte vënë re një farë optimizmi mes udhëheqësve botërorë që takoi muajin e kaluar në takimin e nivelit të lartë të Grupit të 20-es në Evropë.

Presidenti i Bankës Botërore tha se meqenëse kjo rënie ekonomike është globale, rimëkëmbja mund të jetë më e ngadaltë dhe graduale. Por ai tha se Kina mund të luajë një rol pozitiv.

“Mendoj se një shenjë pozitive mund të jetë se Kina mund të na befasojë në kuptimin e mirë. Kina veproi me shpejtësi dhe me agresivitet për të stimuluar kërkesën dhe ka pasur disa shifra mjaft pozitive për tremujorin e parë”.

Zoti Zollik tha se kur i analizon numrat nga afër, të dhënat pozitive nga Kina vijnë kryesisht nga shpenzimet qeveritare dhe mbetet për t’u parë kur sektori privat i vendit t’i rrisë përsëri investimet.

Kina njoftoi dje se eksportet e saj ranë për të gjashtin muaj radhaz, duke lënë të kuptohet se kërkesa për prodhime kineze është ende e ulët.

Ndërkohë departamenti i Tregëtisë tha se defiçiti i tregëtisë në Shtetet e Bashkuara u rrit në mars për herë të parë që nga korriku i kaluar në 27.6 miliardë dollarë, duke treguar kështu se kriza po dëmton edhe eksportet amerikane. Defiçiti amerikan ndaj Kinës u rrit 10 për qind në Mars, duke arritur në 15.6 miliardë dollarë. //kk//


XS
SM
MD
LG