Lidhje

Kosovë, publikohet plani i veprimit për persona me aftësi të kufizuara


Përkrahja më e madhe e institucioneve por edhe e shoqërisë është njëra ndër kërkesat kryesore të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Ata u bëjnë thirrje që t’u ofrojnë më shumë hapësirë në mënyrë që të japin kontributin e tyre profesional në sfera të ndryshme, dhe kështu të bëhen pjesë aktive e përditshmërisë.

Gëzim Abazi, është, Kryetar i Organizatës Joqeveritare “ Hendikep Kosova”. Ai nuk është i kënaqur me përkrahjen që institucionet e vendit u japin personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.

“Unë absolutisht nuk mund të jem i kënaqur me përkrahjen institucionale, për fat të keq. Sistemi trajtues si çështje sociale nuk është përkrahje, 45 euro nuk mund të jetë mburrje për përkrahje institucionale sepse me ato 45 euro sot nuk mund të behet asgjë, duke ditur problemet dhe nevojat e mëdha që kanë personat me aftësi të kufizuar. Përveç të drejtës së garantuar arsimore diçka konkrete nuk shihet” tha zoti Abazi.

Qeveria e Kosovës sot ka bërë publik planin kombëtar të veprimit për personat me aftësi të kufizuara për periudhën 2009 – 2011. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj, thotë se ky plan në mënyrë të qartë tregon se çka duhet të bëjnë institucionet por edhe shoqëria për të përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë personave me aftësi të kufizuara.

“Kjo kategori e shoqërisë në Kosovë, është e vërtetë se deri më tani, sikur ka mbetur jashtë përkujdesjes së mjaftueshëm, jo që ka mbetur jashtë përkujdesjes, por jo në nivelin e mundësive dhe nevojave. Ne më në fund kemi një dokument të rëndësishëm i cili do të jetë faktor i përfshirjes së kësaj kategorie në të gjitha sferat në mënyrë që personat me aftësi të kufizuar të mos ndihen të anashkaluar, të margjinalizuar, por që gradualisht, me përkrahje institucionale dhe të shoqërisë në Kosovë, të arrijnë të shndërrohen në faktorë kontribut dhënës për zhvillimet e përgjithshme në shoqërinë e Kosovës” tha zëvendëskryeministri Manaj.

Enver Kurtalani është përfaqësuesi i Asociacionit të Organizatave për personat me aftësi të kufizuar. Ai thotë se gjendja e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë nuk është e mirë, posaçërisht kur është në pyetje respektimi i të drejtave të tyre.

“Ne besojmë se me fillimin e zbatimit të planit të veprimit për personat me aftësi të kufizuara sado pak të përmirësohet kualiteti I jetës për personat me aftësi të kufizuar dhe shpresoj se ky plan të fillojë së zbatuari qysh në vjeshtë të këtij viti” tha zoti Kurtalani.

Bashkërenduesi i organizatës Handikos, Behxhet Binaku e sheh me mëdyshje planin kombëtar për veprim për personat me aftësi të kufizuara.

“Janë shumë më të thella nevojat e personave me aftësi të kufizuara që ky plan nuk i përmend, duke filluar nga dhuna ndaj personave me aftësi. Ekziston ligji kundër diskriminimit në Kosovë e që është i pazbatueshëm. Askush nuk pyet se sa ka dhunë ndaj këtyre personave. Diskriminimi më i madh për personat me aftësi të kufizuar është diskriminimi jo i drejtpërdrejtë sepse ekzistojnë ligje të cilat flasin për drejtat e personave me aftësi të kufizuar por ato janë të pazbatueshme duke filluar nga qasja, nga e drejta në arsim, në punësim etj." tha zoti Binaku.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare të personave me aftësi të kufizuara e shohin si të domosdoshme që të drejtat e këtyre personave të respektohen në mënyrë ligjore. Kosova ka një ligj i cili i mbron të drejtat e tyre, por sipas përfaqësuesve të organizatave ky ligj nuk i mbron sa duhet të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë. //bsa//

XS
SM
MD
LG