Lidhje

Pheniani kryen prova bërthamore, reagojnë ndërkombëtarët


Koreja e Veriut thotë se ka kryer me sukses një provë bërthamore nëntokësore sot. Po sipas Phenianit, prova ishte shumë më e fuqishme se ajo që realizoi Koreja e Veriut në vitin 2006.

Zyrtarë koreano-jugorë thotë se Koreja e Veriut vuri në provë raketa me rreze të shkurtër veprimi sot, pak pas provës bërthamore.

Agjencia koreano-veriore zyrtare e lajmeve njofton se prova u krye në kuadër të masave për të forcuar kapacitetin e Koresë së Veriut për vetëmbrojtje.

Sizmiologë nga e gjithë bota njoftojnë se tronditje me fuqi prej afro 4.5 ballë u regjistruan në pjesën veri-lindore të Koresë së Veriut, pranë zonës ku Pheniani kreu provën e mëparshme në tetor 2006.

Zyrtarë rusë dhe koreano-jugorë thanë se shpërthimi kishte një fuqi deri në 20 kilotonë, e njëjta me bombën atomike që hodhën Shtetet e Bashkuara mbi Nagasaki në vitin 1945.

Nëse vërtetohen këto pretendime, shpërthimi do të ketë qenë 20 herë më i fuqishëm se prova e mëparshme e Phenianit në vitin 2006. Zyrtari më i lartë ushtarak amerikan, Admirali Majkëll Mallen tha se do të duhen disa ditë për të verifikuar kryerjen e provës, por shtoi se nuk ka arsye për të vënë në dyshim pretendimin e Phenianit.

Presidenti koreano-jugor Lii Miungbak thirri një seancë të jashtzakonshme ditën e sotme ku u tha se prova bërthamore është një provokim i patolerueshëm. Siç tha zëdhënësi i tij, qeveria koreano-jugore do të bashkëpunojë fuqishëm me vendet anëtare të bisedimeve 6 palëshe si Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kina, Rusia dhe bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që Këshilli i Sigurimit të marrë të gjitha masat e nevojshme.

Në të njëjtën ditë, zëdhënësi i Ministrisë së Bashkimit në Korenë e Jugut, tha se Seuli ka vendosur të ndalojë vizitat për në Korenë e Veriut përveç atyre në zonën industriale të Kaesongut.

Dhe ndërsa Seuli zyrtar reagoi ashpër ndaj provës së fqinjit verior, kryeqytete të ndryshme të botës po kështu dënuan këtë provë bërthamore.

Presidenti amerikan Barak Obama akuzoi Korenë e Veriut se po sfidonte bashkësinë ndërkombëtare dhe theksoi se provat bërthamore vetëm do ta izolonin akoma më shumë Phenianin.

Kryeministri britanik Gordon Braun dënoi sulmin dhe e quajti të gabuar e të rrezikshëm për botën.

Kreu i qeverisë japoneze Taro Aso njoftoi se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë sot pasdite një seancë të jashtzakonshme në lidhje me këtë çështje.

Shefi i OKB-së Ban Ki Mun e quajti ngjarjen një zhvillim shqetësues, që nëse konfirmohet, siç tha ai, është shkelje e detyrimeve të Phenianit ndaj rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Edhe Bashkimi Europian dënoi provën bërthamore të Phenianit duke thënë se ajo bie ndesh me sanksionet e OKB-së. Shefi i Politikave të Jashtme, Havier Solana, e dënoi provën duke e quajtur një shkelje të rëndë të rezolutave.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komisionit Europian tha se prova bërthamore është një provokim dhe shtoi se palët do të zhvillojnë bisedime për të hartuar strategjitë e ardhshme mbi këtë çështje. //ek

XS
SM
MD
LG