Lidhje

SHBA: Koreja e Veriut do ndëshkohet për provat bërthamore


Media koreano-jugore njofton se Koreja e Veriut ka hedhur një tjetër raketë me rreze të shkurtër veprimi në bregun e vet lindor. Agjencia e lajmeve Yonhap njoftoi se Peniani hodhi mbrëmë vonë raketën në det të hapur. Gjatë ditës së djeshme, Koreja e Veriut hodhi edhe dy raketa të tjera me rreze të shkurtër veprimi.

Ndërkohë ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Sjuzën Rajs, tha se pesë Anëtarët e Përhershëm të Këshillit të Sigurimit, së bashku me Korenë e Jugut dhe Japoninë u takuan dje ku u diskutuan mbi mënyrat për t’u përballur me Korenë e Veriut.

Shtetet e Bashkuara thanë dje se po punojnë për masa të shpejta nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndëshkuar Korenë e Veriut për provën bërthamore të dy ditëve më parë. Por, zyrtarët amerikanë po kështu thanë se shpresojnë ende që Peniani t’i rikthehet bisedimeve për çarmatim bërthamor të cilat organizohen nga Kina. Raporton nga Departamenti i Shtetit, korrespondenti ynë Dejvid Gollast.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit thonë se Shtetet e Bashkuara duan që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të bëjë Korenë e Veriut të paguajë për shkeljet e rezolutës ndërkombëtare të vitit 2006 duke kryer provën e dytë bërthamore. Por, sipas tyre, dera u duhet lënë hapur bisedimeve me Penianin, i cili në vitin 2007 ra dakord t’i jepte fund programit bërthamor në shkëmbim të ndihmës në fushën e energjisë dhe përfitimeve diplomatike.

Administrata e zotit Obama është e kënaqur me përgjigjen e menjëhershme të OKB-së, ku Rusia dhe Kina, të cilat deri më tani kishin kundërshtuar veprime të forta kundër Koresë së Veriut, iu bashkuan deklaratës së fortë të OKB-së që dënonte provën e Koresë së Veriut.

Këshilli tha se do të niste menjëherë punën për një rezolutë të re me forcë ligjore që sipas Ambasadores amerikane në OKB Sjuzën Rajs, do të ishte e fortë dhe kishte gjasa të përfshinte sanksione shtesë.

Duke folur para gazetarëve, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ian Kelli tha se Sekretarja Hillari Klinton i telefonoi dje homologut të saj rus Sergei Lavrov në lidhje me hartimin e një përgjigjeje të njësuar ndërkombëtare.

Ditën e hënë, zonja Klinton foli në telefon me kryediplomatët kinezë, japonezë, koreano-jugor dhe australian.

Zëdhënësi Kelli nuk bëri parashikime mbi atë se kur do të miratohej rezoluta e re, por tha se durimi amerikan ka të sosur. Ai po kështu tha se administrata e tij dëshiron t’ja bëjë të qartë Koresë së Veriut se veprimet e saj do të kenë pasoja ndërkombëtare, por edhe se linjat e dialogut do të mbeten të hapura.

"Ata kanë ndërmarrë veprime provokative kundër bashkësisë ndërkombëtare dhe duhet të sigurohemi se do të ketë pasoja për këto veprime. Duam gjithashtu t’u tregojmë se kjo mënyrë është e gabuar dhe se nuk do të ketë shpërblime për veprime të tilla. Duam që Peniani të zgjedhë rrugën e duhur duke i dhënë fund programit bërthamor dhe shpresojmë se mund ta arrijmë diçka të tillë”.

Bisedimet bërthamore gjashtë palëshe të organizuara nga Kina ngecën vitin e kaluar. Peniani njoftoi se po largohej nga bisedimet pasi Këshilli i Sigurimit dënoi hedhjen e një rakete me rreze të lartë veprime në fillim të muajit prillit, që sipas Penianit ishte hedhje e një sateliti.

Zëdhënësi Kelli tha se Peniani informoi Shtetet e Bashkuara paraprakisht përmes kanaleve diplomatike se kishte ndërmend të kryente provën bërthamore ditën e hënë.

Zyrtarë amerikane janë në pritje të të dhënave të tjera sizmiologjike para se të vlerësojnë fuqinë e shpërthimit, por ata thanë se bomba duket të ketë qënë më e fuqishme se prova bërthamore e tetorit të vitit 2006, e cila u pa si një dështim i pjesshëm. //ek

XS
SM
MD
LG