Lidhje

Shqipëria në raportin e Amnesty International


Organizata Amnesty International thotë se nuk mund të nënvlerësohet kostoja njerëzore që po shkakton kriza ekonomike. Në raportin e saj vjetor të publikuar sot, grupi i të drejtave të njeriut u bënë thirrje udhëheqësve të vendeve të respektojnë standartet e të drejtave të njeriut duke thënë se mëkëmbja ekonomike do të jetë e qëndrueshme dhe e paanëshme në se përfshin një përqëndrim më të fuqishëm në të drejtat e njeriut. Në kapitullin për Shqipërinë, raporti thotë se është përhapur dhuna në familje. Trafiku i grave dhe fëmijëve për prostitucion të detyruar dhe forma të tjera të shfytëzimit ka vazhduar. Ka patur incidente të torturave dhe keqtrajtimeve të të ndaluarve në stacionet policore dhe burgje. Kushtet e paraburgimit janë ndonjëherë çnjerëzore.

Raporti këtë vit shfrytëzon fokusin që po i vihet gjendjes ekonomike për të tërhequr vëmendjen në përmirësimin e të drejtave të njeriut. Niveli i papunësisë në Shqipëri thotë Amnesty International vazhdon të jetë i lartë megjithë përparimin ekonomik. Më shumë se 18 përqind e popullësisë llogaritet të jetojë nën nivelin kombëtar të varfërisë që është vetëm 2 dollarë në ditë. Ky grup i popullësisë thotë organizata vuan gjithashtu nga kufizimi i qasjes për arsim, kujdes social dhe shëndetësor.

Ndjekjet penale për korrupsion, sipas raportit të Amnesty International, u rritën, por ato kishin si objektiv kryesisht zyrtarë të nivelit të ulët. Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë thotë Amnesty International është i ulët.

Raporti përmend hetimin për shpërthimin e Gërdecit, që solli largimin e ministrit të mbrojtjes dhe arrestimin e disa zyrtarëve të kësaj ministrie. Ngjarja thotë Amnesty International shtoi akuzat për korrupsion dhe tregëti të paligjshme armësh.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave dhe trafiku i qënieve njerëzore është një tjetër temë e trajtuar në raportin e Amnesty International për të drejtat e njeriut. Dhuna në familje është përhapur dhe besohet të ndikojë një në çdo tre gra. Në nëntë muajt e parë të vitit 2008 policia regjistroi 612 incidente të dhunës megjithëse mendohet se rastet kanë qënë shumë më të mëdha por nuk janë raportuar. Autoritetet shqiptare thotë raporti morën masa për të rritur mbrojtjen për viktimat, shumica gra.

Gratë dhe vajzat vazhdojnë të trafikohen për prostitucion të detyruar, ndësa fëmijët shfrytëzohen si lypsarë në Greqi dhe Itali. Mbrojtja e viktimave vazhdon të jetë e dobët dhe policia mbështetet në pjesën më të madhe tek viktimat për të raportuar trafikimin. Ashtu si edhe në vitet e kaluara, Amnesty International ngre shqetësimin për torturat, dhe keqtrajtimet e të ndaluarve si dhe gjëndjen e burgjeve. Ka akuza që të ndaluarit janë torturuar apo keqtrajtuar, zakonisht pas arrestimit, apo duke u marrë në pyetje. Megjithatë, shumë pak nga këto raste janë gjykuar. Kushtet e paraburgimit në disa raste thotë Amnesty International janë çnjerëzore dhe trajtimi i degraduar. Kujdesi shëndetësor është i pamjaftueshëm dhe të burgosurit me sëmundje mendore në përgjithësi nuk veçohen nga të tjerë dhe marrin shumë pak, ose aspak trajtim nga specialistët. Megjithatë vërehen disa përmirësime në kushtet e paraburgimit dhe në legjislacionin lidhur me të drejtat e të burgosurve dhe monitorimin e burgjeve. //rd//


XS
SM
MD
LG