Lidhje

Historia dhe Politika në Kufirin Indi - Pakistan


Që nga viti 1947, çdo ditë në perëndim të diellit në pikëkalimin kufitar Wagah ndërmjet Indisë dhe Pakistanit mblidhen spektatorë për të parë rojet rivale të kufirit që realizojnë ceremoninë e uljes së flamurit. Ky spektakël i përditshëm me britma e përplasje këmbësh është një barometër unik i marrëdhënieve ndërmjet Indisë dhe Pakistanit, të cilat janë acaruar ndjeshëm që pas sulmeve të nëntorit në Bombei.

Kjo britmë mund të tingëllojë si thirrje lufte. Sidomos pasi rojet i afrohen pikës kufitare që simbolizon tensionet mes dy vendeve dhe është pikëkalimi kryesor që lidh Indinë dhe Pakistanin.

Por për mijëra spektatorë, kjo skenë në zemër të Panxhabit të ndarë, ndërmjet qyteteve Lahore dhe Amritsar, kjo traditë i ngjet më tepër një ndeshjeje kriketi se sa një ceremonie ushtarake. Fëmijë shkollash valëvisin flamuj dhe grupe grash, por edhe burra kërcejnë nën tingujt e këngëve patriotike të Balivudit. Shumë veta përpiqen të mbysin britmant e spektatorëve pakistanezë që brohorasin nga ana tjetër e kufirit.

Kjo njihet si Ceremonia e Tërheqjes. Që nga tërheqja e trupave britanike nga nënkontinenti indian në vitin 1947, portat e të ashtu-quajturit “Muri aziatik i Berlinit” u hapën. Rojet indiane të kufirit të veshura në uniforma kakí dhe rojet pakistaneze me të zeza demonstrojnë në një ceremoni 30-minutëshe me britma dhe përplasje këmbësh.

Një roje indiane kufiri shpjegon se sa më lart të ngrihen këmbët gjatë përplasjes, aq më të ashpra janë marrëdhëniet. 5 vjet më parë ceremonia shoqërohej edhe me fyerje dhe rrahje kraharori. Por pas një takimi 4 ditësh mes forcave kufitare në vitin 2004, dy palët ranë dakord për zbutjen e riteve të ceremonisë për të pasqyruar përmirësimin e marrëdhënieve.

Për indianë si Naina nga Nju Delhi, kjo paradë ushtarake e bën të ndjehet më afër me fqinjët pakistanezë.

“Dikur ishim një vend i vetëm. Mendoj se kjo ceremoni i bashkon në një farë mënyre dy vendet”.

Megjithë tensionet e fundit politike, ceremonia e uljes së flamurit është një ritual i përditshëm solidariteti ndërmjet Indisë dhe Pakistanit, që janë gjendur 3 herë në luftë përballë njëri-tjetrit.

Pak pas përfundimit të ceremonisë, spektatorë kureshtarë nga të dyja palët i afrohen pikëkalimit kufitar. Shumë veta si ky indian, shprehin patriotizëm.Dhe shumë nga ata që brohorasin thonë se kanë në plan që një ditë ta vizitojnë Pakistanin.

“Do të doja të shkoja, por Pakistani gjithmonë na godet pas shpine”.

Pikërisht ndjenja të tilla kontradiktore vazhdojnë të ushqejnë përçarjet e thella mes dy vendeve dhe të mos lejojnë hapjen e kufirit. //iç//

XS
SM
MD
LG