Zyrtarët palestinezë thonë se luftimet mes forcave të sigurisë besnike të Presidentit Mahmud Abas dhe militantëve të Hamasit në Bregun Perëndimor kanë shkaktuar vdekjen e gjashtë personave.
Dhuna shpërtheu sot, kur forca e policisë e mbizotëruar nga lëvizja Fatah e zotit Abas bastisi një shtëpi në qytetin Kalkilia në veri të Bregut Perëndimor, për të arrestuar dy militantë.
Palët shkëmbyen zjarr për disa orë në një betejë që shkaktoi vrasjen e tre policëve, të dy anëtarëve të Hamasit dhe një përkrahësi të lëvizjes që ndodhej atje. Një nga militantët ishte një nga udhëheqësit e krahut ushtarak të Hamasit që ishte përfshirë në listën izraelite të personave më të kërkuar.
Ishte beteja më vdekjeprurëse në Bregun Perëndimor që kur presidenti palestinez që gëzon mbështetjen e Perëndimit urdhëroi një aksion kundër militantëve atje në vitin 2007. Para disa muajsh, Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës nga forcat e zotit Abas. //mm//