Lidhje

Mitrovica dhe dialogu për ripajtimin e qytetit të ndarë


Një shqiptar dhe një serb nga Mitrovica thonë se dialogu mes dy komuniteteve të ndara është i mundur. Ata ndodhen në Boston ku para pak ditësh morën një medalje për kontributin e dhënë për paqen në Mitrovicë. Sadri Ferati dhe Dragan Spasojeviç janë të vetëdijshëm se për Mitrovicën nuk ka zgjidhje të lehta por ata janë të vendosur t’i vazhdojnë përpjekjet.

A mund të ketë dialog mes njerezve të një qyteti të ndarë me pikëpamje politike diametralisht të kundërta? A mund të lihen mënjanë çështjet politike dhe urrejtja shumëvjeçare për t’u ulur në një tryeze te perbashkët bisedimesh?

Po, thonë dy përfaqësuesit nga Mitrovica. Dhe Mitrovica nuk është i vetmi qytet i ndarë i botës.

Në muajin prill, Profesori i Shkencave Politike në Universitetin Masaçusets-Boston, Padraig O’Malli, organizoi një konferencë kushtuar qyteteve të dala nga konflikti ku morën pjesë përfaqësues nga katër qytete të ndara të botës: Nikosia, Kirkuku, Londonderri, dhe Mitrovica.

Profesor O’Malli, i cili është me origjinë nga Irlanda, i tha Zërit të Amerikës nga Bostoni se ai synonte t’u jepte mundësi përfaqësuesve të këtyre qyteteve të mësonin nga njëri-tjetri.

“Ne i sollëm së bashku këto qytete në menyrë që të diskutonin nëse ka çështje të përbashkëta që do të ishin të dobishme për përmirësimin jetës atje. Të gjithë këtyre qyteteve u është dashur të funksionojnë nën tensione të mëdha të shoqëruara edhe me dhunë. Kur pjesmarrësit i treguan njëri-tjetrit në konferencë historinë e ndarjes në qytetin e tyre, ata vunë re se të gjithë kishin kaluar nëpër probleme të ngjashme dhe tani po përpiqen të rindërtojnë në mënyra të ngjashme. Secili qytet mund t’i mësonte diçka qyteteve të tjerë.”

Mitrovicën e përfaqësuan në konferencë Sadri Ferati, Ministër i Pushtetit Lokal të Kosovës dhe Dragan Spasojeviç, kryetar i organizatës joqeveritare Lëvizja e Qytetare për Mitrovicën.

Zoti Ferati, i cili është vetë nga Mitrovica, thotë se dialogu është i dobishëm por duhet durim.

“Ky ka qenë një rast i mirë që të mësojmë nga të tjerët. Ne dolëm me mësimin se dialogu gjithmonë është ai i cili duhet të fillojë, dialogu duhet të mbetet i hapur por edhe duhet te ketë durim.”

Zoti Ferati tha gjithashtu se problemet ekonomike të komuniteteve në të dyja anët e lumit Ibër janë thuajse të njëjta. Ai beson se përmes një bashkëpunimi, tensionet në qytetin e ndarë mund të zbuten.

Ky ështe një aspekt për të cilin ai dhe zoti Spasojeviç dëshirojnë të punojnë për ta zgjidhur.

I pyetur nga Zëri Amerikës mbi qendrimin e Beogradit ndaj një dialogu te tillë, zoti Ferati tha se shpreson që Beogradi do ta zbutë pozicionin e tij dhe do të japë kontribut pozitiv.

Zoti Spasojeviç është dakord se ekonomia dhe liritë themelore të njeriut si liria e lëvizjes dhe liria për jetë janë pikënisja e një dialogu që është në interes të dy komuniteteve në Mitrovicë.

Ai thotë se konflikti dhe zhvillimi ekonomik përjashtojnë njëri-tjetrin.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse do të dëshironte që ky dialog të zgjerohej edhe në fushën politike ai tha se lojrat politike le t’i zgjidhin lojtarët më të mëdhenj.

“Ajo çka ne po përpiqemi të bëjmë është të inkurajojmë ose të ndihmojmë disa grupe të shoqërisë civile por edhe disa individë, që të themi se nuk është turp të ketë dialog me fqinjët. Kurse lojërat e mëdha dhe lojrat politike ua lemë lojtarëve të mëdhenj.”

Zoti Spasojeviç thotë se qyteti i ndarë i Nikosias në Qipro ka mjaft ngjashmëri me Mitrovicën dhe ja vlen të mësohet nga përvoja e saj.

Dy përfaqësuesit nga Kosova propozuan që vitin tjetër, Mitrovica veriore dhe jugore, të jenë së bashku mikëpritëse të një konference me temë për qytetet e dala nga konflikti.

Profesor Padraig O’Malli e quajti vendimin e tyre mjaft të guximshëm dhe mendon se mbajtja e një konference të tillë në Mitrovicë mund të ketë rrjedhoja të rëndësishme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për administrimin e qytetit të ndarë.

“Rektori i Universitetit Masaçusets-Boston arriti në përfundimin se vendimi i tyre për të qenë mikpritës të konferencës në Mitrovicë e vlente që atyre t’i jepej titulli më i lartë që ky universitet jep në ceremonitë e diplomimit - Medalja e Kancelarit për Paqe dhe Ripajtim Ndërkombëtar.”

Zoti O’Malli tha se e njëjta medalje iu dha po atë ditë edhe senatorit Xhon Kerri, ish kandidat për president, i cili mbajti fjalimin kryesor në një ceremoni diplomimi që organizoi universiteti. //ii

XS
SM
MD
LG