Lidhje

TI: Sektori më i korruptuar në Kosovë, ai i drejtësisë


Autoritetet në Kosovë thonë se shkalla e korrupsionit në sistemin e drejtësisë është shumë më e vogël nga ajo që raportohet nga organizatat ndërkombëtare apo vendase që merren me trajtimin e kësaj çështjeje. Sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë më i kritikuari. Organizata Transparency International, e cila mat shkallën e korrupsionit në vendet e ndryshme të botës, ka radhitur Kosovën në grupin e tretë të vendeve të ndikuara nga korrupsioni. Sektori më i korruptuar në Kosovë, sipas këtij raporti, është ai i drejtësisë i cili ka marrë notën 4. Nota 5 tregon shkallën e skajshme të korrupsionit.

Ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi, i tha Zërit të Amerikës, se mund të ketë raste të korrupsionit në gjykata a prokurori, por sipas saj, nuk mund të thuhet se i tërë sistemi i drejtësisë në Kosovë është i korruptuar.

“Ka raste se ka pas persona, gjyqtarë apo prokurorë të cilët janë zënë me korrupsion dhe ata janë suspenduar dhe kundër tyre kanë filluar procedurat gjyqësore, por nëse kemi parasysh se ne në Kosovë kemi mbi 500 prokurorë dhe gjyqtarë për kundërvajtje, numri që është paraqitur nga ana e agjencisë për korrupsion dhe përqindja që del nga ai raport nuk del se gjykatat janë institucionet më të korruptuara në Kosovë”.

Sipas hulumtimeve të fundit, përveç përfshirjes së gjykatësve dhe prokurorëve në korrupsion gjykatat në Kosovë thuhet të jenë të penguara edhe nga institucionet tjera të vendit. Kujtim Kërveshi, ekspert për çështje juridike, tërheq vërejtjen në mungesën e vullnetit politik për të përmirësuar gjendjen e rëndë siç thotë ai të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

“Konsideroj se sektori i drejtësisë në Kosovë është në një gjendje shumë të vështirë, në një gjendje e cila po vështirësohet çdo ditë e më tepër. Mendoj se deri tani,e dhe misionet e ndryshme ndërkombëtare nuk kanë arritur që ta nxjerrin Kosovën nga ky problem. Mendoj se problemi kryesor është në mungesën e vullnetit politik në Kosovë".

“Konsideroj se kjo vërejtje është e lidhur drejtpërdrejtë me ata që janë bartës të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, për asgjë tjetër përveç rolit që ata kanë në krye të këtyre organizatave, por edhe në pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në menaxhimin e çështjeve që lidhen me gjyqësorin”, thotë zoti Kërveshi.

Sipas tij, sistemi drejtësisë në Kosovë ka dështuar në shumë hapa, përfshirë edhe sundimin e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

Drejtues të sektorit të drejtësisë të Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, EULEX, thanë sot se duhet një kohë më e gjatë për përmirësimin e kësaj gjendjeje në pjesën veriore të Mitrovicës ku dy gjykata, ajo e qarkut dhe ajo komunale vazhdojnë të punojnë vetëm me gjyqtarë dhe prokuror ndërkombëtarë.

Alberto Perduka, udhëheqës për sektorin e drejtësisë në EULEX, thotë se ky mision po punon në kthimin e punonjësve shqiptarë e serbë në gjykata në veri, që do të punonin nën mbikëqyrjen e EULEX-in.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se mënyra e vetme që t’u japim përgjigje këtyre çështjeve përmes sundimit të ligjit është që të përfshijmë drejtësinë e të dyja komuniteteve. Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it nuk do të jenë në gjendje që të vetëm të zbatojnë drejtësi të efektshme. Kështu që ne kemi filluar bisedimet me të gjitha palët e përfshira por e dini se kjo merr kohë sepse situata është e vështirë, secila palë vendos kushtet e veta, ne duhet të gjejmë zgjidhje të bazuar në pajtimin e palëve dhe po punojmë në këtë drejtim”.

Zyrtarë të misionit EULEX të cilët filluan shtrirjen e tyre në Kosovë në dhjetor të vitit të kaluar thonë se janë të përkushtuar që të ndihmojnë institucionet e vendit për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, madje nëse është e nevojshme edhe nëpërmjet përdorimit të autoritetit të tyre ekzekutiv.

Edhe Grupi Drejtues ndërkombëtarë për Kosovës ka përcaktuar reformat në sistemin e drejtësisë si një nga përparësitë e punës së qeverisë dhe pranisë civile ndërkombëtare në vend. (ze)

XS
SM
MD
LG