Lidhje

Komisioni i Helsinkit analizon situatën para zgjedhjeve në Shqipëri


Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë organizoi më 4 qershor një seancë në mjediset e Kogresit amerikan ku u diskuta për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.

Shqipëria ndodhet përballë një prove të rëndësishme. Zgjedhjet e 28 qershorit janë një mundësi, por edhe një sfidë për këtë vend, që për herë të parë të zhvillojë votime në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare. Ky duket se ishte mendimi i përgjithshëm i diskutantëve në seancën që u zhvillua të enjten nga Komisioni Amerikan i Helsinkit. Pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria do të vlerësohet në bazë të standardeve të tjera. Duket se këtë kishte parasysh bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit, ligjvenësi Alcee Hastings, kur theksoi se dëshironte të shprehte keqardhjen e tij për vetë faktin që shqetësimet ende vazhdojnë për zgjedhjet në Shqipëri gjë që mund të dëmtojnë kredencialet e saj demokratike.

“Edhe në se arrihen zgjidhje të minutës së fundit dhe korregjohen me sukses të metat, kjo do të jetë një përsëritje e një prirjeje shqetësuese nga zgjedhjet e mëparshme, që nuk merren masa në kohë, që zgjedhjet e radhës pas 4 vjetësh, të zhvillohen pa probleme”.

Mes diskutantëve kishte emra të njohur figurash dhe analistësh të çështjeve shqiptare. Drejtori i Divizionit të EuroAzisë në Zërin e Amerikës, Dr. Elez Biberaj, njohës me përvojë i zhvillimeve në Shqipëri, theksoi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë një provë e rëndësishme për demokracinë e Shqipërisë.

“Në se zgjedhjet nuk zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, kjo do të kishte një ndikim të madh për stabilitetin politik të Shqipërisë, do të zbrapste arritjet e mëdha politike dhe ekonomike që janë shënuar gjatë viteve të fundit, do të pakësonte mbështetjen ndërkombëtare për Shqipërinë dhe për shqipëtarët në Kosovë e Maqedoni dhe do të shtynte pafundësisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian".

Kryeministri Sali Berisha ka theksuar se ai do të garantojë zgjedhje të lira e të drejta. Duke shprehur qëndrimin e qeverisë së tij, Ambsadori i Shqipërisë në Washington, Aleksandër Sallabanda tha se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të zhvilluar zgjedhje të lira e të drejta në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

“Qeveria është e angazhuar të garantojë transparencën e procesit elektoral. Për këtë qëllim ajo ka ftuar komunitetin ndërkombëtar, përfshirë ODIHR-in, dhe Asambletë Parlamentare të OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe NATO-s, për të vëzhguar zgjedhjet me numrin më të madh të vëzhguesve që kanë qënë ndonjëherë në Shqipëri”.

Por problemi i kartave të identitetit vazhdon të jetë një prej çështjeve më shqetësuese mes ankesave dhe kritikave të vazhdueshme të opozitës ndaj qeverisë për mospajisjen e gjithë qytetarëve me dokument identifikimi për të votuar.

Ligjvenësi Eliot Engel, i cili ishte vetë kohët e fundit në Shqipëri, identifikoi problemin e kartave si një prej shqetësimeve kryesore për këto zgjedhje, por tha se përshtypja që i ishte krijuar atij, ishte se banorët që duan të pajisen me karta, megjithë vështirësitë, mund t’i marrin ato.

“Problemi kryesor në këto zgjedhje janë kartat e identitetit. Kjo është hera e parë që zgjedhjet në Shqipëri bëhen me karta identiteti. Problemi është se shumë njerëz nuk kanë paraqitur kërkesë për to. Shqetësimi i të gjithëve është që njerëzit që duan të votojnë të arrijnë të marrin një kartë para zgjedhjeve në mënyrë që të votojnë.Qeveria pretendon se të gjithë do të pajisen me karta. Partia Socialiste thotë është e pamundur. Sipas mendimit tim, njerëzit që duan të kenë karta mund t’i marrin ato. Mund t’u duhet pak kohë, por mund t’i marrin. Unë do t’u bëja thirrje të dyja partive t’u kërkojnë përkrahësve të pajisen me karta".

Drejtori i zyrës së Institutit Kombëtar Demokrat për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin, theksoi se ndonëse nuk ka të dhëna konkrete, megjithë akuzat e bëra, se procesi i kartave po shfrytëzohet për qëllime partiake, vetë fakti që qytetarët duhet të shkojnë më se një herë për të marrë kartat e identitetit, të cilat do të jenë për një pjesë dokumenti i vetëm për votuar, u vë atyre një barrë të padrejtë, për të ushtruar një të drejtë bazë siç është votimi. Zoti Benjamin u bëri thirrje autoriteteve të marrin gjithë masat e duhura për t’ua lehtësuar barrën qytetarëve.

Ndonëse mendimi i analistëve ishte se Shqipëria ka një rast të mirë për të treguar pjekurinë e demokracisë së saj, shqetësimi mbetet i pranishëm në se zgjedhjet do t’i plotësojnë apo jo standardet ndërkombëtare dhe vlerësimin përfundimtar për to do ta japin vetë qytetarët shqiptarë.

Komisioni Amerikan i Helsinkit është një agjenci e pavarur qeveritare që vëzhgon dhe nxit vendet të respektojnë angazhimet ndaj OSBE-së. Komisioni përbëhet nga 9 senatorë, 9 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nga zyrtarë nga departamentet e Shtetit,Mbrojtjes dheTregëtisë. //iç//

XS
SM
MD
LG