Lidhje

Shqipëri: Polemikat për kartat hedhin pikëpyetje mbi zgjedhjet


Në Shqipëri debati për letërnjoftimet rrezikon të verë në pikëpyetje procesin zgjedhor.

Për socialistët, të cilët dorëzuan dje 3 kallzime penale për këtë çështje, përfshirë edhe një për ministrinë e Brendshme, opsioni i shtyrjes së zgjedhjeve po shihet seriozisht.

“Në një moment të përshtatshëm dhe të afërt do të marrim vendimet përkatëse,”
tha Fatmir Xhafa, Sekretar për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste.

Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë në mënyrë kategorike shtyrjen e datës së zgjedhjeve duke deklaruar se për çështjen e letërnjoftimeve po bëhet zhurmë, "pasi kryetari socialist Edi Rama nuk dëshiron të hyjë në zgjedhje".

“Detyra jonë ishte të pajisnim me karta ata që duan dhe të ofronim çmimet më të ulta duke pranuar propozimet e socialistëve ndonëse përmbanin abuzim të qartë,”
tha zoti Berisha.

Mbrëmë, televizioni Top Channel shfaqi rastin e një qytetari i cili është pajisur me dy letërnjoftime, rast që hedh dyshime mbi sigurinë e sistemit të prodhimit të dokumentave të reja të sigurisë.

Por Ministria e Brendshme deklaroi po mbrëmë se shtetasi Erlind Pashollari, i cili ka marrë dy herë letërnjoftime me numër të ndryshëm serie ka aplikuar për të dytën herë pasi ka deklaruar se letërnjoftimi i parë i ka humbur.

Shoqëria që prodhon letërnjoftimet,sipas ministrisë, e ka pajisur me dokumentin e ri me gjeneralitete të njëjta. Kjo procedurë, saktësohet në njoftimin e Ministrisë, nuk cënon aspak sigurinë e sistemit pasi është pajisur i njëjti person me një kartë të re por me të dhëna që i përkasin vetëm atij. Ministria njoftoi gjithashtu se shtetasi Erlind Pashollari po hetohet për mashtrim. //ii

XS
SM
MD
LG