Administrata e Presidentit Obama është përpjekur ta mbajë çështjen e dy gazetareve të shkëputur nga problemet më të mëdha me Korenë e Veriut, përfshirë provën e saj të fundit bërthamore, dhe po bën thirrje për lirimin e tyre për arsye humanitare, tani që gjyqi i tyre me dyer të mbyllura ka përfunduar.
Amerikanet Juna Li dhe Laura Ling që u ndaluan përgjatë kufirit të Koresë së Veriut dhe Kinës në mes të marsit u dënuan me 12 vjet punë të rëndë për hyrje të paligjshme në vend dhe për kryerjen e një “krimi të rëndë” i cili nuk u qartësua, kundër shtetit komunist.
Megjithëse zyrtarët amerikanë fillimisht i hodhën poshtë akuzat ndaj tyre si të pabaza, administrata e Presidentit Obama është tërhequr nga ai formulim.
Në një konferencë shtypi me Ministrin e Jashtëm indonezian Noer Hasan Uirajuda, Sekretarja Klinton tha se Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në përpjekjet për të siguruar mëshirë ndaj dy gazetareve, një çështje që ajo tha se duhet të jetë e shkëputur nga ajo bërthamore.
“Ne po ndjekim çdo rrugë të mundshme që mund të mendojmë për të bindur
koreano-veriorët që t’i lirojnë dhe t’i dërgojnë këto gra të reja në vendin e
tyre. Ne i konsiderojmë këto çështje krejtësisht të ndara nga njëra-tjetra. Ne
mendojmë se gjyqi për burgosjen e Laurës dhe Junës duhet të shihet si një
çështje humanitare. Ne shpresojmë që Koreja e Veriut të ketë mëshirë dhe t’i
deportojë. Ka shqetësime të tjera që ne dhe komuniteti ndërkombëtar kemi me
Korenë e Veriut, por ato janë të shkëputura nga ajo që po ndodh me dy
gazetaret”.
Zonja Klinton nuk pranoi të jepte hollësi për pohimin e saj se çdo kanal komunikimi me Korenë e Veriut po përdorej. Por zyrtarë thanë se mes tyre janë një letër e Sekretares drejtuar autoriteteve koreano-veriore, ku mesa duket kërkohet që dy gazetaret të lirohen dhe ku shpjegohen rrethanat e pranisë së dy gazetareve në kufi më 17 mars.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut nuk kanë marrëdhënie diplomatike, por shpesh shkëmbejnë mesazhe përmes misionit koreano-verior në OKB.
Gazetaret u ndaluan nga rojat kufitare koreano-veriore ndërsa punonin për një artikull për refugjatët koreano-veriorë në Kinë për kompaninë e medias Current TV me qendër në Kaliforni.
Ka pasur disa sugjerime në shtyp sipas së cilave ish-nënpresidenti Al Gore, një nga themeluesit e Current TV, ose ndonjë figurë tjetër me peshë politike mund të udhëtojë në Korenë e Veriut për të ndërhyrë për lirimin e tyre. Por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ian Kelli nuk pranoi të komentonte dje duke përmendur si arsye sesa delikate është çështja.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve i nxiti fuqitë botërore të përfshira në bisedimet e bllokuara gjashtëpalëshe që të punojnë së bashku për lirimin e gazetareve. Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara shprehu shqetësim për dënimet e ashpra dhe shpresën për një zgjidhje të shpejtë të çështjes.