Lidhje

Republikanët kundër transferimit të të burgosurit të Guantanamos


Mbërritja në Shtetet e Bashkuara e të burgosurit të parë të Guantanamos, i cili është ndaluar në lidhje me aktivitete terroriste, ka sjellë edhe më shumë protesta nga ana e pakicës republikane e cila e ka kundërshtuar që në fillim vendimin e zotit Obama për të mbyllur burgun e Guantanamos në Kubë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Den Robinson njofton nga Kapitoli:

Republikanët ka javë që kritikojnë presidentin Obama në lidhje me çështjen e të burgosurve të Guantanamos duke thënë se plani i tij për mbylljen e burgut dhe transferimin e të burgosurve për gjykim në SHBA do t’i ekspozonte amerikanët më shumë ndaj rrezikut terrorist.

Administrata dhe shumica demokrate i quan absurde këta akuza dhe vënë re se burgjet e sigurisë më të lartë në Amerikë kanë qënë mëse në gjendje të ruajnë të dyshuarit vendas apo të huaj për terrorizëm.

Ahmed Khalfan Ghailani mbërriti në Nju Jork ditën e djeshme ku do të përballet me Prokurorinë mbi rolin e tij në lidhje me sulmin me bomba të gushtit të vitit 1998 në ambasadat amerikane në Dar es Salam të Tanzanisë dhe në Nairobi të Kenias, sulm që shkaktoi vdekjen e 224 vetëve dhe plagosi shumë të tjera.

Zoti Ghailani tha para një gjykate federale dje se ishte i pafajshëm. Ai po mbahet në Qendrën e Burgimit në Nju Jork. Ai po kështu akuzohet për bashkëpunim me udhëheqësin terrorist Osama bin-Laden si dhe anëtarë të tjerë të organizatës në lidhje me sulmet me bomba dhe vrasjet e shtetasve amerikane, akuza për të cilat ai mund të dënohet me vdekje ose burgim të përjetshëm.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve i Nju Jorkut, Piter King, u shpreh me nota kritike ndaj administratës dhe tha se nuk duhet të ketë transferime të tjera derisa zoti Obama të shpalosë më shumë detaje mbi fatin e të burgosurve që do të transferohen në Shtetet e Bashkuara.

Zoti King that se, ndërsa akuzat kundër Ghailanit duken të forta, mbeten shumë pyetje se çfarë do të ndodhë nëse ai do të lirohej:

"Çfarë do të bënim në këtë rast? Nuk do ta përdorim ne rastin që kemi për të gjykuar dikë që është kapur në sheshbetejë. Dhe nëse e gjykojmë, mbi çfarë bazash ligjore do ta bëjmë diçka të tillë dhe çfarë do të ndodhë me të? Do të largohet, do të mbahet këtu në SHBA”?

Senatori republikan Lindsi Graham dhe i pavaruri Xho Libermen i thanë gazetarëve dje se mund ta pranojnë që zoti Ghailani të gjykohet në Amerikë, por ky rast, sipas tyre, nuk duhet përdorur si precedent.

Por udhëheqësi republikan Xhon Bejnër dhe kreu republikan në Komisionin Ligjor të Dhomës së Përfaqësuesve, Lamar Smith thanë dje se administrata e zotit Obama po mundohet ta vendosë një precedent të tillë. Duke iu referuar anketave sipas të cilave amerikanët kundërshtojnë transferimin e të burgosurve të Guantanamos në Amerikë, zoti Bejnër e quajti transferimin e zotit Ghailani hapin e parë në planin e demokratëve për të importuar terroristët në Amerikë.

Zoti Smith tha ndërkaq se transferimi i zotit Ghailani në Nju Jork do t’i siguronte një terroristi dhe një vrasësi më shumë të drejta kushtetuese. Sipas një ankete të kohëve të fundit nga agjencia Gallup dhe gazeta USA shumica e amerikanëve kundërshton mbylljen e burgut të Guantanamos si dhe gjithashtu kundërshton fuqishëm transferimin e të burgosurve në Amerikë ose në shtetet e tyre.

Kongresi deri më tani nuk ka miratuar kërkesën e administratës së zotit Obama për fondet e nevojshme për të nisur procesin e mbylljes së burgut duke kërkuar më shumë detaje nga ana e administratës mbi këtë plan. //ek

XS
SM
MD
LG