Lidhje

Iran: Ndalohen mbi 100 veta të lidhur me partitë opozitare


Autoritetet iraniane ndaluan më tepër se 100 persona të lidhur me partitë politike opozitare ndërkohë që policia përpiqej të frenonte protestat kundër fitores me rezultat të thellë të presidentit Mahmud Ahmedinexhad.

Reformistët thanë dje se njëri nga të arrestuarit është vëllai i ish presidentit reformist të Iranit, Mohamad Khatami. Ata thanë se disa aktivistë që ishin ndaluar u liruan.

Po dje, kandidati presidencial reformator, Mir Hosein Musavi, i kërkoi Këshillit të fuqishëm të Mbikqyrësve, i përbërë nga klerikë islamikë, që t’i anulojë rezultatet e zgjedhjeve.

Zoti Musavi ia hodhi fajin për humbjen manipulimeve të qeverisë me votat. Presidenti Mahmud Ahmedinexhad thotë se zgjedhjet ishin të lira e të drejta.

Zoti Musavi u bëri thirrje mbështetësve të tij të vazhdojnë protestat në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Aktivistët që mbështetin zotin Musavi vazhduan edhe dje protestat në Teheran për të dytën ditë, duke ndezur zjarre nëpër rrugë dhe duke u përleshur me policinë.

Ndërkohë, dhjetra mijë përkrahës të zotit Ahmedinexhad festuan në kryeqytet.

Në Shtetet e Bashkuara, nënpresidenti Xho Bajden i tha televizionit amerikan NBC se kishte dyshime mbi rezultatet zgjedhore në Iran. Por ai nuk tha nëse administrata Obama i pranon ose jo këto rezultate.

AHMADINEXHAD: POPULLI E DHA VENDIMIN E TIJ

Një ditë pas zgjedhjeve në Iran, presidenti Mahmud Ahmedinezhad hodhi poshtë pretendimet se ka pasur manipulim të votave dhe u shpreh se votat e lira i dhanë atij një mandat të dytë presidencial.

Zoti Ahmedinezhad tha gjatë një konference me gazetarët se epërsia e fitores së tij ishte kaq e madhe sa nuk mund të vihet në pikëpyetje. Pas konferencës, Presidenti përshëndeti mijëra mbështetës gjatë festimeve për fitoren.

Zoti Ahmedinezhad tha se në Iran u zhvilluan zgjedhjet më të mira dhe moderne dhe njerëzit dhanë votën e tyre. Ai vuri në dukje se 40 milionë vetë hodhën votën për President dhe se numërimi i votave ishte i saktë.

“Disa po ankohen për rregullsinë e zgjedhjeve. Kjo është normale, pasi ata mendonin se do të fitonin me siguri shumicën e votave dhe do të merrnin postin e Presidentit, por nuk morën votat e duhura. Ata mund të jenë të zhgënyer dhe të reagojnë përmes deklaratave. Por këto ankesa sipas nesh nuk kanë bazë ligjorë. Kjo është si një ndeshje futbolli. 50 deri në 70 mijë vetë ndjekin një ndeshje futbolli dhe i mbyt pasioni dhe është pikërisht pasioni që i bën ata të reagojnë kështu”.

Gjatë konferencës me gazetarët, mes të cilëve kishte edhe përfaqësues të mediave të huaja, presidenti i rizgjedhur iranian tha se ishte i gatshëm për të komunikuar me Shtetet e Bashkuara dhe shtoi se çështja bërthamore i përket së kaluarës.

Por, pak kilometra larg sallës së konferencës së shtypit të zotit Ahmedinezhad, të rinj iranianë vazhduan protestat dhe i vunë zjarrin koshave të plehrave, bankave dhe rrotave të makinave, ndërsa policia u përgjigj me shkopa gome.

Tensionet në vend mbeten të larta pas protestave të djeshme në mbështetje të kandidatit reformator, Mir Hosein Musavi, i cili u shpall humbës i zgjedhjeve presidenciale të Iranit kundrejt presidentit aktual Mahmud Ahmedinezhad i cili mori më shumë se 24 milionë vota.

Zoti Musavi tha se votimet kishin qënë të manipuluara, deklarata të cilat u pasuan me protesta të vazhdueshme në kryeqytetin iranian.

Ndërsa protestuesit dolën në rrugët e kryeqytetit, autoritetet u përgjigjën përmes bllokimit të mesazheve telefonike dhe sinjalit të telefonisë mobile, bllokimit të faqeve të internetit pro kandidatit Musavi dhe faqeve si Facebook.

Sipas rezultateve zgjedhore, 62,6% e iranianëve votuan për zotin Ahmedinexhad, ndërsa reformatori Musavi mori 33,75% të votave. Zoti Musavi u vetëshpall fitues i zgjedhjeve dhe i bëri thirrje mbështetësve të tij të mos pranonin “gënjeshtrat dhe diktaturën” e qeverisë.

Autoritetet i bënë thirrje gazetarëve të pajisur me viza të mbulojnë zgjedhjet, përfshirë edhe pjesëtarë të agjencisë Associated Press. Por ato po kështu u thanë këtyre të fundit se duhet të përgatiten për t’u larguar nga Irani.

Në Iran nuk ka monitorues të pavarur të zgjedhjeve. Por, udhëheqësi i lartë i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, i cili ka pushtetin të ndërhyjë nëse ka probleme me zgjedhjet, i dha fund spekulimeve për vjedhje votash dhe tha përmes një mesazhi televiziv se vendi duhet të mbështesë zotin Ahmedinezhad pas verdiktit të kutive të votimit. //ek

XS
SM
MD
LG