Lidhje

SHBA: Kongresi dënon shtypjen e protestave në Iran


Ligjvënësit amerikanë miratuan një rezolutë, e cila dënon shtypjen e demonstruesve në Iran dhe ndalimin e mediave të lajmeve dhe të komunikimit në vend.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi me 405 vota pro dhe 1 votë kundër rezolutën që dënon “vazhdimin e dhunës kundër demonstruesve nga ana e qeverisë dhe milicive pro-qeveritare”.

Kjo rezolutë është përgjigja më e ashpër deri tani e zyrtarëve amerikanë, pas deklaratave të kujdeshme për disa ditë me radhë nga administrata Obama lidhur me zgjedhjet e kontestuara. Mbështetësit kryesorë të rezolutës i kanë kërkuar administratës Obama që të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj shtypjesës së protestuesve nga qeveria e Teheranit.

Po sot, Bashkimi Evropian shfaqi shqetësim serioz rreth përgjigjes së qeverisë iraniane ndaj demonstruesve, duke vënë në pikpyetje ligjshmërinë e rizgjedhjes së Presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

Me anë të një deklarate të përbashkët, udhëheqësit BE-së i bënë thirrje qeverisë iraniane që t’u njohë të gjithë qytetarëve të drejtën për të demonstruar dhe për t’u shprehur në mënyrë paqësore.

SHTËPIA E BARDHË REAGON

zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs u tha të premten gazetarëve se rezoluta e Kongresit amerikan pasqyron pikëpamje të cilat zoti Obama i ka përsëritur vazhdimisht.

"Natyrisht ne e mirëpresim rezolutën. Ne besojmë se ajo u bën jehonë fjalëve që Presidenti Obama ka thënë gjatë gjithë javës."


Megjithëse administrata Obama ka bërë komente të matura rreth gjendjes në Iran, zoti Gibs tha se Presidenti nuk ka lenë asnjë dyshim se ai mbështet të drejtat e demonstruesve.

"Ata të cilët duan që zëri i tyre të dëgjohet duhet t’u krijohen kushtet për ta bërë këtë, për ta bërë pa frikë apo dhunë dhe kjo është një parim i rëndësishëm universal që duhet mbështetur dhe mendoj se Presidenmti Obama e mbështet atë fuqishëm."


Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei i paralajmëroi dje protestuesit që të mos mbajnë tubime të tjera. Khamenei tha se Presidenti Mahmud Ahmadinexhad u rizgjodh me një votim të drejtë dhe kritikoi atë që e quajti ndërhyrje të të huajve të cilët, tha ai, venë në pikëpyetje rezultatin e zgjedhjeve.

Zoti Gibs tha se administrata Obama nuk dëshiron të lejojë që udhëheqësit politikë të Iranit të akuzojnë Shtetet e Bashkuara se ndërhyjnë në çështjet iraniane.

"Ne nuk duam të përdoremi si mjet politik apo si top futbolli në një debat që zhvillohet nga iranianët dhe në Iran. Ka shumë njerëz në udhëheqjen iraniane të cilët do të dëshironin shumë që ne të përfshiheshim në këtë çështje.”

Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë tha se shumë iranianë kanë filluar të venë në pikëpyetje pikpamjen negative për Amerikën të krijuar nga qeveria e Teheranit.

"Mendoj se në Iran ka njerëz që i shikojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo ashtu si ua kanë përshkruar të tjerët, jo ashtu siç do të dëshironte qeveria iraniane që ata të besonin. Mendoj se ky është një zhvillim pozitiv për Iranin dhe për gjithë botën." //iç


XS
SM
MD
LG