Lidhje

Dioguardi: Obama nuk do t'i lërë pas dore çështjet shqiptare


Jemi me fat që presidenti Barak Obama e kupton investimin e bërë në Ballkan dhe po ashtu që kemi zotin Bajden si zëvendës president i cili e ka ndjekur çështjen shqiptare, kështu shprehet ish kongresmeni Xho Diguardi, tani kryetar i Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane. Ndërsa bashkëshortja e tij, Shirli Klois Dioguardi, bashkëpunëtore e pareshtur e të shoqit në lobizmin e çështjeve shqiptare, shton se shqiptarët ende nuk gëzojnë të drejta të barabarta në të gjitha vendet ku jetojnë. Me zotin Diguardi dhe zonjën Klois Dioguardi bisedoi kolegia Bardha Shpuza Azari.

Zëri i Amerikës: Zoti DioGuardi, ju keni qenë prej kohësh një nga lobistët kryesorë të shqiptarëve këtu në Uashington. Cilat janë çështjet për të cilat po loboni tani?

Xho Dioguardi: Janë bërë 25vjet që unë bëj lobizëm për çështjet shqiptare. Nganjëherë ne vijmë në Uashington për të diskutuar çështje të veçanta, siç janë problemet e tanishme në Preshevë, të burgosurit shqiptarë në Mal të Zi, si dhe problemet e shqiptarëve në Maqedoni. Por, për momentin nuk mund të themi se kemi ndonjë çështje tjetër, sepse presim që udhëheqësit shqiptarë të formulojnë idetë për nevojat e tyre se çfarë duan dhe të na i parashtrojnë ato ne. Kjo është pikërisht ajo që unë pres tani nga shqiptarët në Maqedoni.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, sa e angazhuar do të jetë administrata e presidentit Obama në politikat ballkanike, e veçanërisht për sa i përket çështjeve shqiptare në rajon?

Xho Dioguardi: Problemet praktike në Afganistan, Pakistan-Indi, mes Izraelit dhe palestinezëve, Irakut etj do të vazhdojnë të ekzistojnë për Shtetet e Bashkuara. Atëherë, bëhet pyetja se ku hyjnë shqiptarët në këtë politikë të jashtme dhe pse duhet të jenë amerikanët të pranishëm atje? Jemi me fat që presidenti Obama e kupton investimin e bërë në rajon dhe jemi me fat që kemi zotin Bajden si zëvendës president i cili e ka ndjekur çështjen shqiptare. Vizita e tij në Kosovë ishte shumë simbolike dhe e rëndësishme. Mendoj gjithashtu se për sa kohë që zoti Bajden do të jetë zëvendës president, zoti Obama nuk do t’i lërë pas dore çështjet e shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Zonja Klois DioGuardi ju jeni marrë kryesisht me çështjen e Preshevës dhe të shqiptarëve atje. Si duket situata në Luginë tani?

Shirli Klois Dioguardi: Gjatë periudhës së fundit unë jam fokusuar tek Presheva dhe tek Mali i Zi. Javën e kaluar në Mal të Zi u lexuan apelet për 15 shqiptarët e burgosur atje dhe parashikohet që pas dy javësh të dalë vendimi i Gjykatës së Lartë. Unë jam njoftuar se ambasadori ynë atje e ka bërë të qartë që vendimi i apelit nuk mund të përdoret për t’u zgjatur dënimet atyre, por ajo që nuk di ende është nëse do të ketë ulje dënimesh dhe nëse njerëzit që duhet të lirohen do të dalin nga burgu në kohën e duhur. Po këto dy javë pritet vendimi për shqiptarët e burgosur në Preshevë ku do të vendoset për fatin e tyre. Ata janë në burg që në dhjetor.

Zëri i Amerikës: Tani çështjet janë në duart e sistemeve të drejtësisë në Mal të Zi dhe Serbi. A nuk duhet të presim përfundimin e procesit gjyqësor për të gjykuar rezultatet e çështjeve në fjalë?

Shirli Klois Dioguardi: Ne e kemi parë seç ndodhi në Mal të Zi, ku shqiptarët u burgosën pa prova të vërteta por vetëm në bazë të bisedave spekulative të raportuara nga një kolaboracionist. Ajo që dua të shoh unë është një diskutim i vërtetë për të drejtat e njeriut në Evropën Juglindore. Përse Kosovës i kërkohen standartet më të larta të mundshme, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc dhe Çamëri dhe deri diku edhe në Maqedoni ende nuk gëzojnë të drejta të barabarta.

Zëri i Amerikës: Për sa i përket Maqedonisë. Si e vlerësoni gjendjen e shqiptarëve atje? A respektohen të drejtat e shqiptarëve siç është kërkuar nga Marrëveshja e Ohrit dhe a janë ata në gjendje të organizohen për të mbrojtur të drejtat e tyre të barabarta me qytetarët e tjerë maqedonas?

Shirli Klois Dioguardi: Unë e shoh Maqedoninë si një shtet të dështuar. Partitë shqiptare atje janë në konkurencë të vazhdueshme me njëra tjetrën dhe që nga Marrëveshja e Ohrit nuk kemi parë asgjë tjetër përveç se një luftë për pushtet si nga partitë sllave ashtu edhe nga ato shqiptare në kurriz të popullit. Arben Xhaferri ishte i vetmi që arriti t’i shprehte kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni dhe realitetin shqiptar në rajon. Që në kohën që ai është larguar nga skena politike nuk ndjehet më asgjë. Për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, ky i fundit e ka lënë atë pas dore me idenë që situata është e qetë. Por për mendimin tim kjo është shumë e rrezikshme, veçanërisht duke marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe tensionet politike në Ballkan. Ne duhet ta kemi vëmendjen tek Maqedonia sepse asgjë nuk është e sigurt. //bsa//

XS
SM
MD
LG