Lidhje

Figura e Ilir Metës nën këndvështrimin e analistëve


Në 2005 kryetari i LSI, Ilir Meta, u konsiderua si faktori kryesor i humbjes së pushtetit të së majtës, ndoshta jo aq për votat që i hoqi socialistëve se sa për çoroditjen që solli në shumicën e atëhershme.

Dy vjet më pas bashkëpunimi me socialistët në zgjedhjet lokale ishte një plus për rezultatin e arritur. Këtë herë ai është përsëri jashtë çadrës socialiste pas një ndarjeje e cila u bë e parekuperueshme.

Gjatë gjithë kësaj kohe zoti Meta ka lëvizur energjikisht për t’i krijuar sa më shumë hapësira vetes, por shpesh ato kanë ngjasuar kaotike e më shumë si reagime zemërimi të momentit. Greva e urisë në parlament në kundërshtim të kodit elektoral nuk i solli asnjë përfitim politik, ndërsa beteja e nisur për buxhetin e Bashkisë së Tiranës, po ashtu përfundoi me një tërheqje të heshtur. Ajo ishte dhe thyerja më e madhe, një thyerje besimi me kryetarin socialist Edi Rama i cili që nga ai moment refuzon të pranojë idenë e një aleance me të.

Pas një periudhe ku zoti Meta luftonte me të dy krahët, si me kryeministrin ashtu dhe me sulme ndaj kryetarit socialist, në prag të fushatës ai e korigjoi shënjestrën duke u përqëndruar te e djathta dhe duke u ofruar për një aleancë postzgjedhore me socialistët.

Pavarësisht deklaratave tejet optimiste nga LSI mbi mundësinë e fitores së një numri të madh deputetësh, ajo që mendojnë vëzhguesit politik është se zoti Meta mund të jetë faktor deciziv nëse koalicioni i zotit Rama nuk do të fitojë dot i vetëm shumicën e nevojshme për të qeverisur.

"Po të gjykojmë nga sondazhet aktuale fakti që asnjë nga dy forcat kryesore nuk duket se arrin e vetme të marrë shumicën absolute do të thotë se forca të treta do të faktorizohen shumë për të krijuar koalicionin e ardhshëm qeverisës.Gjithsesi në cdo rast LSI do të jetë një faktor përcaktues", vlereson Bledi Kajsiu.

Ndërsa Blendi Fevziu, ndërsa pranon gjithashtu peshën që zoti Meta do të marrë në rast se asnjë nga partitë e mëdha nuk arrijnë dot shumicën thotë se partia e tij mund të sjelë edhe pështjellime brenda së majtës:

"Meta mund të jetë një fakto deciziv. E kemi menduar këtë në zgjedhjet e 2005 por ishte deciziv për të cuar për të cuar Nanon në opozitë e jo për të ndërtuar qeverinë e ardhshme".

Andi Bushati thotë se referuar sondazheve të publikuara këto kohë, Lëvizja socialiste për Integrim rezulton me një mbështetje në rënie, por megjithatë ai mendon se ato tregojnë se ai mund të luajë faktorin e ekuilibrit:

"Dhe nëse i jepet kjo mundësi Meta do të jetë enigma e madhe e këtyre zgjedhjeve sepse është kundërshtar i shpallur i zotit Rama por njëkohësisht e ka tejet të vështirë edhe një bashkëpunim me Berishën të cilin e ka jo vetëm një kundërshtar prej vitesh por edhe partitë e tyre janë shumë të larguara nga njëra tjetra. Nëse do të vihet në rolin e kuzhinetës rrotulluese unë nuk e di se si ai do të arrijë të rrotullohet".

Hipotezat e një bashkëpunimi të mundshëm të zotit Meta me të djathtën kanë qarkulluar shpesh por publikisht nuk kanë gjetur asnjëherë mbështetje dhe janë hedhur poshtë nga kryetari i LSI-së. Por Blendi Fevizu e con më larg analizën e tij mbi lëvizjet e mundshme të zotit Meta:

"Nëse do të jetë faktori deciziv për të ndërtuar qeverinë mund të ketë një shans të krijojë aleancë të përkohshme me Berishën, të krijojë pështjellime në PS, ti krijojë probleme Ramës ose ta fusë atë në konflikt me Nanon dhe pastaj të tërhiqet nga qeverisja në një moment që mund të jetë jetik për të majtën. Edhe kjo është një analizë hipotetike shumë e vështirë është një betejë që kërkon shpatulla shumë të mëdha por që mund të arrihet".

Ndërsa Bledi Kajsiu nuk e sheh fort të vështirë apo të pazakontë një bashkëpunim mes Lsi dhe Partisë socialiste:

"Pas zgjedhjeve të 2009 sistemi elektoral nëse funksionon, nëse nuk do të ketë manipulime, do të tregojë qartë forcën e gjithkujt. Dhe aktorët mund të futen në koalicion dhe në raport me forcën që kanë. Forcë që nuk ishte e qartë në përplasjen Nano Meta. Do kemi një qartësim më të madh dhe së dyti përplajsa është për pushtetin e nesërm. Pushteti ka një gravitacion shumë të madh në Shqipëri. Nëse Partia demokratike bëri aleancë me Xhuvelin,flas nga pikëpamja politike, nuk është aspak e cuditshme që të bëjnë koalicion Ps me LSI".

Andi Bushati mendon se zoti Meta do të piqet ta kushtëzojë fort një aleancë të ardhshme post zgjedhore:

"Nëse PS do t’i duhen votat e zotit Meta, ai do të bëjë gjithshka është e mundur për të mos i dhënë kryetarit të PS edhe postin e kryeministrit. Kjo do të jetë edhe kontradikta e tyre e parë. Historia na ka treguar se Rama dhe Meta në mënyrë okulte ose jo dijnë t’i gjennë marrëvesshjet dhe të bëjënë pazaret e mundshme. Eshtë tjetër gjë se sa pazaret do të zgjasin në kohë dhe se sa ato mund t’i krijojnë Shqipërisë një qeverisje të qëndrueshme katërvjeçare".

Zoti Meta ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk i beson sondazheve, por duket se ai beson fort se do të mund të jetë në rolin e gurit që do të përcaktojë nga do të anojë peshorja e pushtetit dhe që tani e ka bërë të qartë se do ta mbajë lart stekën. Se sa, kjo do të jetë e qartë vetëm pas zgjedhjeve. //bsa//

XS
SM
MD
LG