Lidhje

Presidenti Obama mbi Iranin dhe reformat në SHBA


Presidenti Barak Obama ka përdorur gjuhën më të ashpër deri tani duke iu referuar dhunës pas zgjedhjeve presidenciale në Iran. Presidenti Obama mbajti dje një konferencë shtypi ku u përqendrua tek Irani duke thënë se ka pikëpyetje të mëdha për legjitimitetin e votimeve nga të cilat presidenti Mahmud Ahmadinexhad doli fitues.


Irani ka vazhduar të jetë pjesë e debateve thuajse të përditshme në Shtetet e Bashkuara, prandaj pjesa më e madhe e konferencës për shtyp të presidentit dje iu kushtua pyetjeve rreth përgjigjes amerikane ndaj veprimeve të dhunshme të Teheranit. Pavarësisht deklaratave më të ashpra të presidentit për ngjarjet e fundit, republikanët e kanë kritikuar përgjigjen e zotit Obama si tepër të ndrojtur. Por presidenti e përsëriti se nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të Iranit dhe se do të presë të shohë zhvillimet në terren.

Presidenti Obama e filloi konferencën e tij të shtypit me një deklaratë për Iranin.

“Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar ndjehen të tmerruar dhe te zemëruar nga kërcënimet, rrahjet dhe burgosjet e ditëve të fundit.”

Deklaratat e presidentit mbi dhunën në Iran janë bërë më të fuqishme gjatë ditëve të fundit kur gjakderdhja është shtuar. Por pjesa tjetër e mesazhit të tij ka mbetur e njëjtë.

“Unë e kam bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara e respektojnë sovranitetin e Republikës Islamike të Iranit, dhe nuk duam të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Iranit. Por kjo nuk do të thotë se nuk do t’i ndjekim ngjarjet.”

Disa republikanë në kongres e kanë quajtur përgjigjen e presidentit si pasive. Por zoti Obama u përgjigj edhe në lidhje me këtë debat.

“Unë jam presidenti i Shteteve të Bashkuara, dhe kam përgjegjësinë t’i avancuar gjithnjë interesat e sigurisë sonë kombëtare dhe të mos lejoj që të përdoremi si vegël nga vendet e tjera.”

Presidenti nuk pranoi të spekullonte nëse ngjarjet në Iran do të ndikojnë tek dëshira e tij për të zhvilluar një dialog me udhëheqësit e atij vendi për programin bërthamor dhe çështje të tjera. Ai tha se është e rëndësishme të pritet, për të parë se si do të zhvillohen ngjarjet në Iran.

Presidenti iu shmang përmendjes së emrave të lojtarëve kryesorë në mosmarrëveshjen për zgjedhjet iraniane. Megjithatë, ai foli për vajzën iraniane momentet e fundit të jetës të së cilës ishin inçizuar me video që është parë në të gjithë botën.

“Të thyhet zemra. Dhe kushdo që e sheh këtë e kupton se po ndodh diçka shumë e padrejtë.”

Presidenti mori shumë pyetje nga gazetarë iranianë përgjigjet e te cilave u publikuan në një faqe të famshme interneti “The Huffington Post.” I pyetur për kushtet nën të cilat Shtëpia e Bardhë do ta pranonte mandatin e dytë të zotit Ahmadinexhad si president, zoti Obama tha se kjo është një çështje që do ta vendosin iranianët.

Gjatë konferencës së shtypit dje, zoti Obama u përqendrua edhe tek kriza ekonomike. Ai e vlerësoi punën e Kreut të Rezervës Federale Ben Bernanke por tha se rregullatorët federalë duhet të kishin bërë më shumë për parandalimin e krizës ekonomike. Administrata e presidentit Obama ka propozuar ndryshime rrënjësore për rregullimin e sistemit financiar. Një propozim tjetër i kësaj administrate, për të cilën foli sot zoti Obama, është edhe reforma në shëndetësi. Gjatë një interviste për rrjetin televiziv ABC, presidenti tha se beson që legjislacioni për këtë reformë do të miratohet këtë vit. Ai pralajmëroi se nëse kjo nuk ndodh, atëherë çmimet për kujdesin shëndetësor do të rriten shumë si për familjet ashtu edhe për bizneset.

Kritikat ndaj propozimit të zotit Obama për reformat në sistemin financiar nuk kanë të bëjnë vetëm me shtimin e hallkave burokratike, siç pretendojnë kundërshtarët e këtij plani, por edhe me frikën se Kreu i Rezervës Federale mund të fuqizohet shumë.

Ndërsa, në lidhje me reformën në shëndetësi, republikanët e senatit, e madje edhe disa demokratë, besojnë se një plan sigurimesh shëndetësore i sponsorizuar nga qeveria do t’i nxjerrë nga tregu kompanitë private të sigurimeve. Por presidenti Obama e hodhi poshtë këtë pretendim duke thënë se nëse këto kompani private do t’u ofronin njerëzve planin më të mirë, atëherë nuk do të kishte kuptim të thuhej se plani publik do të përbënte konkurencë të padrejtë. //ad//

XS
SM
MD
LG