Lidhje

Zgjedhjet në Shqipëri:  PD, PS në garë të ngushtë


Në Shqipëri, ku vazhdon numërimi i votave pas zgjedhjeve të djeshme, duket se Partia Demokratike në pushtet është në një garë të ngushtë me Partinë Socialiste në opozitë. Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se zgjedhjet e sivjetme shënuan përparim krahasuar me ato të mëparshmet, megjithëse ka patur disa shkelje.

Në deklaratën e OSBE-së thuhej se vëzhguesit dalluan përmirësim në procesin e votimit, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, por pati probleme, si votimi familjar, apo mungesa e bojës për t’i shënuar njerëzit që kishin votuar, në disa qendra votimi.

Në Bruksel, Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, pranoi se zgjedhjet shënuan përparim. Por ai shtoi se ka patur dhunë gjatë fushatës dhe disa herë politizim të procesit dhe i bëri thirrje udhëheqësve shqiptarë, që në të ardhmen, të zhvillojnë zgjedhje që i përmbushin plotësisht standartet ndërkombëtare.

Anketimet pas zgjedhjeve tregojnë se Partia Demokratike kryeson lehtë garën me Partinë Socialiste. Të paktën 3 mijë vëzhgues, 50 prje tyre të huaj, ndoqën nga afër zgjedhjet në Shqipëri. Asnjë prej 6 zgjedhjeve të zhvilluara që pas rënies së Komunizimit në Shqipëri nuk i kanë plotësuar tërësisht standartet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të drejta, prandaj zgjedhjet e kësaj radhe shihen si shumë të rëndësishme për integrimin evropian të vendit. //lk

XS
SM
MD
LG