Lidhje

Në pritje të ceremonive përkujtimore të Majkëll Xheksonit


Një zëdhënës i familjes së Majkëll Xheksonit tha se ndryshe nga njoftimet e mëparshme, në pronën e yllit botëror të popit në Kaliforni nuk do të zhvillohet ceremoni përkujtimore.

Zëdhënësi tha dje se nuk do të ketë ceremoni publike në rançin Neverland, ku qysh tani janë mbledhur para portave turma njerëzish për të nderuar kujtimin e këngëtarit.

Ai tha se po bëhen plane për ceremoni përkujtimore diku tjetër por nuk dha hollësi të tjera.

Po dje, gjykatës iu dorëzua testamenti i Xheksonit i vitit 2002. Në të pasuria e këngëtarit vlerësohet në 500 milion dollarë dhe kërkohet që ajo të vihet nën kujdesin e familjes. Në testament kujdesi për tre fëmijët e Xheksonit i kalohet nënës së tij 79-vjeçare, Katherine, dhe nëse nevojitet, asaj t’ja zerë vendin këngëtarja Diana Ross.

Ross është mikeshë e familjes dhe e ka ndihmuar Xheksonin dhe vëllezërit e tij të hynin në industrinë muzikore.

Në testamentin e Xheksonit thuhet se ai qëllimisht nuk e përmend aty emrin e ish gruas, Debora Rou Xhekson, e cila është nëna e dy prej fëmijëve të tij.

XS
SM
MD
LG