Gjendja e lirisë se fjalës në Kosovë është bërë temë diskutimesh muajve të fundit. Kërcënimet kundër gazetares Jeta Xharra nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, si dhe kërcënime të herëpashershme ndaj gazetarëve të tjerë, kanë nxitur reagime të organizatave vendase e ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shtypit, të cilët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës, që të hetohen këto kërcënime.
Në një debat që u mbajt sot në Prishtinë për 'Lirinë e të shprehurit në Kosovë', Mentor Shala nga Shoqata e Gazetarëve të Kosovës, përmendi disa raste të këtyre kërcënimeve.
"Vetëm këtë vit Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës ka marrë 11 ankesa nga më të ndryshmet duke filluar nga cenzura e lajmeve, kërcënime dhe dhuna ndaj gazetarëve, siç është rasti i fundit i ekipit të BIRN-it dhe rasti i gazetarëve të gazetës Koha Ditore të cilët u kërcënuan nga një gjyqtar se do të vriteshin nëse shkruajnë një aferë për të".
Sipas kryetarit të Shoqatës të Gazetarëve, në Kosovë gazetarët censurohen kur trajtojnë tema në të cilat përfshihet pushteti apo bizneset. Por, zëvendëskryeministri Kosovës, Hajredin Kuqi, nuk pranon se qeveria ushtron trysni në lirinë e shprehjes në Kosovë, ndërsa tërheq vërejtjen në siç thotë ai, autocensurën e gazetarëve kur bëhet fjalë për tema të caktuara,…
"Diskursi i përhapur së voni për lirinë shprehjes së mendimit të lirë apo edhe për mediat e lira në Kosovë, për gjoja një lloj kontrolli që mund të jetë nga ana e qeverisë mendojmë se është i paqëndrueshëm. Asnjë veprim i qeverisë së Kosovës nuk është i orientuar dhe nuk ka pasur për qëllim të vejë mbi kontroll mediat e as të kufizojë lirinë e shprehjes", thotë zëvendëskryeministri Kuqi.
Por Halil Matoshi, Redaktor në të përditshmen Koha Ditore, shprehet i shqetësuar me gjendjen e lirisë së fjalës në Kosovë. "Sa i përket lirisë së shprehjes në Kosovë, e them me përgjegjësi të plotë se qeveria aktuale është në regres fatal dhe kjo, për bindjen time, e ka cenuar rëndë demokracinë në vendin tonë".
Rastet e fundit të kërcënimeve të gazetarëve në Kosovë kanë ngritur shqetësimin edhe tek autoritetet ndërkombëtare. Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë ka reaguar duke thënë se liria e fjalës është vlerë themelore për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Andy McGuffy zëdhënës i kësaj zyreje thotë se Kosova është në proces të shtetndërtimit ndërsa thekson se liria e shprehjes është pjesë e këtij procesi. Por, ai tërheq vërejtjen se janë autoritetet vendase ato të cilat duhet të përballen me këto çështje.
"Komuniteti ndërkombëtarë ka një rol të kufizuar në diskutimin se si do duhet të jetë diskursi kombëtarë në Kosovë. Mendoj se komuniteti ndërkombëtarë mund të sjelli përvojën e tij dhe perspektivën e tij, por janë faktorët në Kosovë ata të cilët do të shkëmbejnë idetë për këtë çështje dhe të jenë lojtarët kryesor në vendosjen e udhëzimeve për diskursin publik të Kosovës, për lirinë e shprehjes në Kosovë", thotë zoti Mc Guffy.
Shkalla e lirisë së fjalës në Kosovë, është
kritikuar në vazhdimësi nga organizatat ndërkombëtare. Hulumtime të
herëpashershme e kanë radhitur Kosovën në vendet me liri të pjesshme të
mediave. Edhe në raportin e fundit të Organizatës Freedom House thuhet se liria
e medias në Kosovë është e mbrojtur nga kuadri ligjor, mirëpo mekanizmat
ligjore dhe institucionale nuk e parandalojnë trysninë politike ndaj medias. //rd//