Lidhje

Presidenti Obama thekson nevojën për bashkëpunim SHBA-Rusi


Presidenti Barak Obama po i jep fund takimit dy-ditësh të nivelit të lartë në Moskë, ku ka theksuar synimet dhe interesat e përbashkëta mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Në një fjalim para studentëve të Departamentit të Studimeve Ekonomike Pasuniversitare, zoti Obama theksoi rëndësinë e ndalimit të përhapjes së armëve bërthamore dhe mundjen e terroristëve të dhunshëm. Presidenti vuri përsëri në dukje synimin e tij për një epokë të re në marrëdhëniet me Moskën dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë një Rusi të fortë, në paqe dhe begati. Ai e cilësoi çështjen e mospërhapjes së armëve bërthamore si thelbin e sfidës bërthamore të shekullit të 21-të.

Presidenti theksoi të njëjtin mesazh në Moskë, si në takime me udhëheqësit rusë, apo në fjalimin drejtuar popullit rus: ai u përqendrua në nevojën për të lënë mënjanë kujtesat e fundit të Luftës së Ftohtë. Thirrja e tij për një fillim të ri u pasua me një përgjigje pozitive nga kryeministri dhe ish-president i Rusisë, Vladimir Putin, i cili konsiderohet nga shumë veta si personi më i fuqishëm në Rusi.

Kur e priti Presidentin Obama në shtëpinë e tij në rrethinat e Moskës, zoti Putin tha se Rusia i ka varur shpresat tek udhëheqësi i ri amerikan për marrëdhënie më të mira me Shtetet e

“Mendojmë se kemi përpara një mundësi të shkëlqyer për t’i kthyer në pozita shumë më të forta marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”.

Më pas Presidenti Obama i përqendroi tek populli rus përpjekjet për sheshimin e tensioneve mes dy vendeve. Ai mbajti fjalimin kryesor në ceremoninë e diplomimit në Departamentin e Studimeve Ekonomike Pasuniversitare në Moskë, një institucion i themeluar menjëherë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Presidenti Obama foli për mënyrën si i gjykon marrëdhëniet me ish-rivalin e Luftës së Ftohtë.

“Së pari, më lejoni të shprehem qartë: Amerika dëshiron një Rusi të fortë, në paqe dhe begati. Kjo bindje i ka rrënjët në respektin tonë për popullin rus dhe në të kaluarën tonë të përbashkët që përfshin më tepër se thjesht rivalitet”.

Në orët që pasuan, ai e theksoi mesazhin e tij për një epokë të re para një grupi drejtuesish të biznesit dhe udhëheqësish të shoqërisë civile të angazhuar në fusha që nga mjedisi e deri tek të drejtat e njeriut.

“Nuk na nevojitet thjesht një fillim i ri mes qeverisë amerikane dhe asaj ruse, por një fillim i ri mes dy shoqërive tona”.

Presidenti rus Dimitri Medvedev shoqëroi zotin Obama në takimin me drejtuesit e biznesit, por nuk mori pjesë në takime me udhëheqës të shoqërisë civile, apo në sesionin që pasoi me përfaqësues të opozitës politike. //iç//

XS
SM
MD
LG