Lidhje

Marrëveshje Turqi-BE për tubacionin e naftës Nabuko


Turqia dhe katër vende evropiane nënshkruan të hënën një marrëveshje historike, e cila synon pakësimin e varësisë së Evropës tek gazi natyror i Rusisë. Kryeministrat e Turqisë, Bullgarisë, Austrisë, Rumanisë dhe Hungarisë, u takuan në Ankara për miratimin e marrëveshjes, e cila parashikon ndërtimin e një tubacioni që shtrihet nga rajoni i Detit Kaspik, deri në Evropën Perëndimore. Por, edhe pse është arritur një marrëveshje, ende ka shqetësime lidhur me tubacionin.

Nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e gazsjellësit prej 3 mijë e 300 kilometrash, pasoi 7 vjet negociata të vështira. Tubacioni do të kalojë nga Azerbaxhani i pasur me gaz, nëpër Turqi, Bullgari dhe Rumani, duke përfunduar në Austri.

Duke folur në ceremoninë e nënshkrimit, kreu i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso tha se gazsjellësi është me rëndësi historike.

"Gazsjellësi Nabuko është me rëndësi të madhe për sigurinë energjetike të Evropës dhe Turqisë. Ai siguron diversifikimin e burimeve dhe rrugëve dhe bashkon në një treg klientë të besueshëm, me furnizues të sigurt dhe me rrugë të sigurta tranziti."

Nabuko shihet si konkurrent me gazsjellësin tjetër, që mbështet Moska, ai i jugut dhe që mendohet të kalojë nga Azia Qendrore përmes Rusisë, Ukrainës dhe disa vendeve ballkanike, për në Itali.

Në janar u evidentuan dyshimet lidhur me besueshmërinë e Rusisë dhe Ukrainës, kur mosmarrëveshja për çmimin çoi në ndërprerjen e furnzimit me gazin rus, gjë që solli mungesa të mëdha energjie të Evropën Perëndimore.

Një nga vendet që u godit më tepër nga ndërprerja e energjisë dimrin e kaluar ishte Bullgaria. Kryeministri bullgar Sergei Stanishev theksoi rëndësinë e veçantë të gazsjellësit për vendin e tij.

Për qeverinë dhe qytetarët bullgarë, që u gjendën në krizën më të pakëndshme janarin e kaluar, ceremonia e sotme e nënshkrimit është një mesazh i fortë si politikisht edhe ekonomikisht. Edhe Hungaria u godit rëndë nga kriza e gazit në muajin janar dhe, për këtë arsye, kryeministri Gordon Bajnai tha se e sheh tubacionin si simbol të një bashkëpunimi të ri dhe më të gjerë.

Përpjekjet e Evropës për diversifikimin e rezervave të veta të energjisë shihen jo vetëm si një mundësi ekonomike, por edhe si një shans politik për Ankaranë. Turqia, që është në kufi me vendet e pasura në energji të Lindjes së Afërme dhe të Mesme, po pozicionohet si ura e re e energjisë në Evropë. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan e sheh marrëveshjen të një rëndësie shumë më të gjerë se sa thjesht si një gazsjellës.

"Ne po bëjmë një hap të rëndësishëm për vendet tona, për miqësinë dhe paqen, si dhe për të mirën e brezave të ardhshëm, -thotë zoti Erdohan. Projekti Nabuko do të hedhë themelet për një përmirësim të mëtejshëm të marrëdhënieve të Turqisë me BE-në në fushën e energjisë.

Ankaraja e sheh shtimin e rëndësisë së Turqisë për ta ndihmuar Evropën të plotësojë nevojat e veta të energjisë, si një fuqizim i besueshmërisë për anëtarësimin e vendit në BE. Por mbetet pikëpyetja lidhur me qëndrueshmërinë dhe me besueshmërinë e Nabucos.

Sipas analistëve, Moska nuk është e kënaqur me përpjekjet për dobësimin e ndikimit saj tek furnizimi me energji i Evropës. Si rezultat, ajo po planifikon aktualisht ndërtimin e tubacioneve të reja për t’i shërbyer tregut evropian. Analistët thonë se Rusia po ashtu po përpiqet shumë për të blerë gaz që një ditë të furnizojë Nabukon. Në fillim të muajit, ajo nënshkroi një marrëveshje me Azerbaxhanin për të blerë gaz nga ky vend. Ky nuk do të ishte një lajm i mirë për Nabukon, thotë eksperti i marrëdhënieve me jashtë, Soli Ozel, i Universitetit Bilgi.

"Pa Azerbaxhanin nuk mund ta fillosh këtë projekt, sepse për momentin, ende nuk bëhet fjalë për gazin iranian pasi marrëdhëniet e Teheranit me Perëndnimin nuk janë dhe aq të mira. Prandaj, në se nuk bën asnjë përpjekje për Nabukon dhe fillon projektin e ri, do të duhet të bazohesh vetëm tek gazi azerbajxhanas."

Por mbështetësit e projektit thonë se Azerbaxhani ka rezerva të mjaftueshme gazi si për klientët rusë edhe për ata të Nabukos. Ata mendojnë se sapo të ndërtohet Nabuko, ai do të tërheqë naftë nga Egjipti, Irani, Iraku dhe Turkmenistani, në se nuk ka rezerva të mjaftueshme nga Azerbaxhani. Por ata thonë se edhe përkrahësit më optimistë të Nabukos, pranojnë se megjithë nënshkrimin e marrëveshjes, do të duhet të zgjidhen një numër i madh problemesh. //ad//

XS
SM
MD
LG