Lidhje

SHBA: Përfundojnë seancat me pyetje për gjykatësen Sotomajor


Gjykatësja Sonia Sotomajor përfundoi seancat para Komisionit Juridik të Senatit që po shqyrton kandidaturën e saj për Gjykatën e Lartë.

Zonja Sotomajor u përball edhe dje me pyetje të vështira por edhe u vlerësua nga kritikët republikanë: Republikanët që e kanë kritikuar ashpër zonjën Sotomajor për komentet e saj në disa fjalime i përsëritën shqetësimet e tyre dje ndërsa merrnin në pyetje kandidaten.

Senatori Xhon Kornin tha se akoma mbeteshin paqartësi për pikëpamjet e zonjës Sotomajor për ligjin si edhe pikëpamjen e saj për rolin që përvoja dhe besimet personale luajnë në procesin gjyqësor.

E pyetur nga zoti Kornin për kontradiktën që bie në sy mes komenteve të saj të kaluara dhe dëshmisë para komisionit, zonja Sotomajor përsëriti "besnikërinë e saj ndaj ligjit":

"Mënyra sesi kam gjykuar dhe vepruar në të kaluarën tregon se çfarë personi jam, çfarë besoj, si edhe gjykimin dhe opinioni tim se ligji është themeli i sistemit tonë të drejtësisë".

Senatori Kornin tha se binte dakord që vendimet e zonjës Sotomajor ishin në përputhje me vendimmarrjen juridike të gjykatësve.

Senatori republikan Lindsi Graham tha se ndërsa fjalimet e mëparshme të zonjës Sotomajor ngrenë shqetësimin se ajo mund të lejonte "përkatësinë e saj gjinore dhe racore" të ndikojë tek gjykimet e saj ndaj Gjykatës së Lartë, shpjegimet e saj kishin qenë bindëse.

"Shumë nga ne shtrojnë pyetjen nëse do t'i mbartni këto opinione në Gjykatën e Lartë në raste që do të përbëjnë precedent. Por sot dhe gjatë gjithë seancave ju ishit shumë bindëse kur shpjeguart se do të përpiqeni ta kuptoni ndryshimin mes procesit gjyqësor dhe ideve politike që keni për grupet e popullsisë dhe gjininë".

Gjatë gjithë seancave të kësaj jave, zonja Sotomajor vazhdimisht shmangu dhënien e opinioneve për çështje ligjore dhe kushtetuese duke thënë se një gjë e tillë do të përbënte paragjykim të çështjeve që mund të marrë në konsideratë Gjykata e Lartë.

Zonja Sotomajor, që nëse konfirmohet do të jetë e para anëtare hispanike e Gjykatës së Lartë tha se do të donte që hynte në histori si një gjykatëse e drejtë, një njeri i përkujdesur dhe dikush që i shërbeu vendit të vet.

"Sfidat e jetës nxjerrin pengesa për këdo, të pasurit apo të varfrit, për njerëzit e çdo prejardhjeje apo race dhe një nga tiparet e mrekullueshme të kurajos së Amerikës është aftësia për t'i kapërcyer ato dhe besoj se njerëzit mendojnë se në një farë niveli unë i kam bërë këto në faza të ndryshme të jetës sime".

Kryetari i Komisionit, Senatori Patrik Lihi e vlerësoi zonjën Sotomajor për përgjigjet e saj me "zgjuarsi, fisnikëri dhe durim" gjatë seancave të gjata.

"Të gjithë amerikanët përfitojnë nga përvoja dhe maturia juaj. Dhe unë e di që kur të hyni në godinën e Gjykatës së Lartë, drejtësia e barabartë para ligjit do të jetë parimi juaj udhëheqës".

Pas zonjës Sotomajor, komisioni dëgjoi dëshmitë e 31 personave të ftuar nga republikanët dhe demokratët për të folur për arritjet e saj dhe karrierën e saj përfshirë drejtorin e FBI-së Luis Frih, kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut Majkëll Blumberg, si edhe juristë, avokatë të armëmbajtjes dhe aktivistë kundër abortit.

Megjithëse shumë republikanë ka mundësi të votojnë kundër emërimit të saj, senatori Lihi tha se ai beson se ajo do të sigurojë mbështetjen e disa republikanëve të komisionit, që mbizotërohet nga demokratët.

Zoti Lihi pritet të planifikojë një votim të martën për emërimin e zonjës Sotomajor dhe shpreson se votimi nga i gjithë Senati do të bëhet para se Kongresi të fillojë pushimet e gushtit. //kk//

XS
SM
MD
LG