Lidhje

Nënpresidenti amerikan Bajden, vizitë në Gjeorgji


Nënpresidenti amerikan Xho Bajden shkoi në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, ndalesa e tij e fundit e një misioni që synon të sigurojë Ukrainën dhe Gjeorgjinë për mbështetjen amerikane ndaj aspiratave të tyre demokratike.

Para largimit nga Ukraina, zoti Bajden tha në një takim me personalitete të biznesit, politikanë dhe studentë se Shtetet e Bashkuara do t’i qendrojnë përkrah këtij vendi ndërkohë që ai vazhdon të ecë në rrugën e lirisë dhe begatisë.

Ai riafirmoi gjithashtu mbështetjen amerikane ndaj përpjekjeve të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe u bëri thirrje udhëheqësve ukrainas të kërkojnë kompromis për një numër çështjesh që e kanë përçarë qeverinë e vendit.

Duke folur në krah të presidentit ukrainas Viktor Jushçenko, zoti Biden tha se SHBA e mbështesin me forcë të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur aleatët e saj. Ai po ashtu mirëpriti vendimi e presidentit ukrainas për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.

Presidenti Jushçenko tha se kishte diskutuar me zotin Biden për sigurinë e energjisë bërthamore në uzinat bërthamore të vendit dhe mbi nevojën për diversifikimin e dërgesave të karburantit në Ukrainë.

Rusia i ka kundërshtuar me forcë përpjekjet e Kievit për anëtarësim në NATO, duke thënë se prania e mundshme e një aleance ushtarake perëndimore në kufitjë e saj do të ishte ndërhyrje në sferat e saj tradicionale të influencës.

Në Gjeorgji, zoti Bajden do të ketë dy ditë bisedime me Presidentin Mikhail Sakashvili si dhe do të takohet me udhëheqës të opozitës të cilët kanë zhvilluar demonstrata kundër zotit Sakashvilli për më tepër se tre muaj në kryeqytetin Tbilisi. //ii

XS
SM
MD
LG