Lidhje

SHBA: Rindizen polemikat rreth marrëdhënieve racore


Arrestimi i një profesori me ngjyrë të Universitetit Harvard nga një polic i bardhë ka zgjuar polemika në Shtetet e Bashkuara lidhur me marrëdhëniet mes pakicave racore dhe policisë. Polici James Crowley thotë se profesori po sillej me agresivitet. Vetë Profesor Henry Louis Gates thotë se është viktimë e stigmës racore dhe u arrestua si rezultat i ngjyrës së lëkurës dhe jo i veprimeve të tij. Presidenti Obama, i pari president amerikan me ngjyrë, i ka ftuar të dy ata në Shtëpinë e Bardhë për një takim jozyrtar me synimin për të zbutur tonet racore të incidentit.

Arrestimi i profesorit të Universitetit Harvard, Henry Louis Gates dhe akuzat e tij për racizëm kundër policit James Crowley ndezën polemikat për paragjykime racore nga forcat e rendit.

Kreu i Shoqatës Kombëtare të Policëve me Ngjyrë, Charles Wilson thotë se shpesh herë policia ndalon, merr në pyetje ose arreston njerëz bazuar në ngjyrën e lëkurës dhe jo në prova reale.

“Institucioni i ruajtjes së rendit ka shfaqur dhe vazhdon të shfaqë tendenca dallimi racor kundër njerëzve me ngjyrë dhe me të ardhura të ulëta; ky është fakt.”


Policia akuzohet shpesh se ushqen paragjykime racore, pra se mbështetet tek karakteristikat racore dhe etnike për të arritur në përfundimin nëse dikush është më i prirur të kryejë krime.

Për shembull, statistikat tregojnë se afrikano-amerikanët ndalohen dhe kontrollohen më shpesh nga policia rrugore se sa të bardhët.

Scott Newman, menaxher në një hotel në Uashington, thotë se e ka provuar vetë këtë prirje:

“Më ndaloi policia pa arsye fare. Nuk po e ngisja makinën me shpejtësi. Pa asnjë arsye kontrolluan gjithë makinën për drogë apo diçka tjetër, por nuk gjetën gjë.”

Paul Butler, ish prokuror federal, kujton momentin kur e arrestuan para shtëpisë, pasi ishte zënë me fqinjin për vendin e parkimit.

“Kur erdhi policia, më pa mua - një afrikano-amerikan dhe menjëherë u duk sikur kishin ardhur për të më arrestuar. Nuk donin të dëgjonin se çfarë po u shpjegoja.”


Paragjykimet racore që shfaq policia ndërthuren me faktorë si dallimet mes klasave dhe kulturave. Stephen Smith, komentator në shtyp, thotë se megjithëse është shënuar përparim në marrëdhëniet racore, dinamika mes popullatës zezake dhe policisë mbetet e komplikuar.

“Që në momentin e parë një afrikano-amerikan e mendon si të mirëqënë se polici do të ushqejë paragjykime racore. Ky është realiteti.”

FBI-ja thotë se afrikano-amerikanët kanë ritme 7 herë më të larta të burgosjes se të bardhët. Një anketë e fundit e rrjetit televiziv ABC tregon se shumica e afrikano-amerikanëve thonë se nuk trajtohen njësoj si të bardhët. Dhe në disa shtete ata kanë arritur fitore kur kanë hedhur në gjyq policinë nën akuzat për paragjykime racore.

Rebeka Headon, juriste pranë Bashkimit Amerikan për Liri Civile thotë se paragjykimet racore ishin ndër faktorët që çuan në përplasjet mes aktivistëve për të drejta civile dhe policëve të bardhë në vitet ’60. Por ajo shton se ka pasur një farë përmirësimi:

“Ka plot policë që sillen me shumë profesionalizëm. Por fatkeqësisht ka edhe policë që ndikohen nga paragjykimet racore në punën e tyre.”

Pete Rubino, polic në pension, thotë se sjellja e policisë ka shënuar përparim të madh, por nevojitet përmirësim i mëtejshëm. Ai thotë se edhe policët janë të shqetësuar nga akuzat e ngritura në lidhje me incidentin e profesor Gates.

“Njerëz janë dhe ndikohen edhe ata kur i shohin artikujt në gazeta. Kjo vëmendje ndikon në mënyrën si reagojnë kur i thërret dikush në nevojë. Tani kur i përgjigjen thirrjes, do të rrinë të mendojnë se çfarë rreziku mund të ketë përpara për ta.”

Departamenti i Policisë së qytetit Cambridge, që arrestoi Profesorin Gates, është një ndër agjencitë e shumta të rendit në vend, ku zhvillohen programe për të ndihmuar policët të kuptojnë dallimet kulturore, të qetësojnë situatën dhe të gjejnë mënyrën më të mirë të reagimit për të shmangur perceptime negative. //ii

XS
SM
MD
LG