Lidhje

Gjykatësja urdhëron lirimin e të ndaluarit të Guantanamos


Një gjykatëse federale në Uashington, DC urdhëroi dje lirimin e Mohamed Javadit, njërit prej të ndaluarve më të rinj në bazën ushtarake amerikane në Guantanamo të Kubës, duke thënë se ai ishte mbajtur në mënyrë të paligjshme për gjashtë muaj e gjysëm. Qeveria do të ketë kohë deri në fund të gushtit për ta rikthyer Javadin përsëri në Afganistan ose të ngrenë akuza penale civile kundër tij.

Gjykatësja Ellen Huvell tha se kishte arritur në përfundimin se Muhamed Javadi ishte mbajtur i ndaluar në mënyrë të paligjshme nga Shtetet e Bashkuara për gjashtë vjet e gjysmë. Në akt-paditë e mëparshme, qeveria amerikane kishte akuzuar se Javadi kishte hedhur një granatë në një automjet në dhjetor 2002, duke plagosur seriozisht dy anëtarë të forcave speciale amerikane dhe përkthyesin e tyre afgan. Ai u ndalua në Afganistan, ku ai thotë se zyrtarët afganë e detyruan të pranonte fajin, dhe pastaj e dërguan në qendrën e ndalimit në Guantanamo në vitin 2003.

Një nga avokatët e Javadit, Majori i forcës ajrore amerikane Dejvid Frakt thotë se vendimi është një fitore për shtetin ligjor në Shtetet e Bashkuara.

"Është një fitore e jashtëzakonshme. Është i pari i ndaluar mbi të cilin ishin ngritur akuza nga komisionet ushtarake, që ishte gati për t'u gjykuar dhe tani do të lihet i lirë. Pra, ky është një nga personat që Presidenti Bush e kishte etiketuar pa të drejtë si njërin nga njerëzit më të rrezikshëm".

Mosha e Javadit nuk është e sigurt sepse ai ka lindur në një kamp refugjatësh në Pakistan. Ai thotë se ishte rreth 12 vjeç kur e kapën në vitin 2002, por Pentagoni thotë se ai ishte 17 vjeç. Departamenti amerikan i Drejtësisë ra dakord këtë muaj që të mos përdorë asnjë nga deklaratat që Javadi ka dhënë gjatë marrjes në pyetje, për shkak të akuzave për tortura.

Avokati i Javadit, Frakt thotë se vendimi i djeshëm do të shërbejë si një precedent i fuqishëm për të ndaluar të tjerë të Guantanamos që thonë se janë detyruar të dëshmojnë.

"Përfundimi i Departamentit të Drejtësisë sipas së cilit të gjitha deklaratat e bëra në Bagram, ose Guantanamo ishin të detyruara dhe të papranueshme në një gjykatë, ka një efekt të jashtëzakonshëm për të ndaluarit e tjerë që u ishin nënshtruar kushteve të ngjashme dhe teknikave abuzive të marrjes në pyetje".

Gjykatësja Huvell i dha afat qeverisë deri më 6 gusht për të njoftuar Kongresin nëse ka ndër mend ta dërgojë Mohamed Javadin në Afganistan. Gjykatësja tha se ajo do një raport nga Departamenti i Drejtësisë më 24 gusht, ku të thuhet se ai është nisur për në Afganistan. Zyrtarët afganë kanë lënë të kuptohet se do ta pranonin Javadin pa kushte dhe se ata besojnë se ai ishte ndaluar në mënyrë të paligjshme.

Departamenti i Drejtësisë thotë se nuk ka vendosur nëse do të kërkojë ngritjen e akt-padisë civile kundër Javadit. Por kjo nuk ka shans të ndodhë, sipas një avokati tjetër të Javadit, Xhonathan Hafec i Bashkimit Amerikan të Lirive Civile.

"Mendoj se gjykatësja e bëri mjaft të qartë sot se çdo lloj ndjekjeje penale do të përballej me pengesa të pakapërcyeshme, do të ishte një ide e keqe dhe krejtësisht e papërputhshme me ato që ajo ka parë në gjykatë dhe me angazhimin themelor amerikan ndaj drejtësisë dhe shtetit ligjor".

Avokatët e Javadit thonë se ai i ka bërë ballë shumë mirë Guantanamos dhe se mamaja e tij, daja dhe familjarët e tij mezi e presin në Afganistan. Ata shtojnë se Javadit do t'i pëlqente të ndihmonte njerëzit dhe ndoshta të studiojë për mjekësi pasi të lihet i lirë. //kk//

XS
SM
MD
LG