Lidhje

Demokratët: "Fushatë e shëmtuar" kundër reformës shëndetësore


Udhëheqësit demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve i kanë cilësuar si anti-amerikane prishjet e takimeve publike nga kundërshtarë të planit të administratës për reformimin e kujdesit shëndetësor.

Në një artikull të botuar në gazetën USA Today, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe Udhëheqësi i Shumicës në këtë Dhomë Steny Hoyer kritikuan atë që e cilësuan si “fushatë të shëmtuar” për të keqinterpretuar reformat dhe për të ndërprerë takimet me publikun që po zhvillojnë anëtarë të Kongresit.

Ligjvënësit thanë se protestat po prishin takimet dhe po krijojnë tensione, pasi kundërshtarët u tremben pikëpamjeve të kundërta.

Thirrje me zë të lartë kanë shoqëruar takimet e disa ligjvënësve demokratë me publikun. Ligjvënësit janë kthyer në shtetet e tyre për pushimet e gushtit, ndërkohë që përpiqen të sigurojnë mbështetje publike për reformat e presidentit. Republikanët thonë se protestat janë thjesht amerikanë të shqetësuar, të cilët shprehin pikëpamjet e tyre.

Zoti Obama ka thënë se dëshiron të ulë koston e kujdesit shëndetësor dhe t’u ofrojë sigurime shëndetësore 47 milionë amerikanëve që nuk kanë sigurime. Republikanët e opozitës thonë se reformat do të jenë tepër të kushtueshme dhe kërkojnë ndërhyrje në shkallë të gjerë nga qeveria. //ii

XS
SM
MD
LG