Lidhje

Me trupat amerikane që nisen për në Kosovë


Rreth 14,000 trupa të NATO-s shërbejnë sot në Kosovë. Prej tyre, 1500 janë amerikanë. Patrullimet, ruajtja e pakicave etnike, mbështetja për ndërtimin e institucioneve dhe për organizimin e forcës së re të sigurisë të Kosovës, janë disa nga detyrat e këtyre trupave. Kolegu ynë ishte në Sandston të Virxhinias, ku një grup ushtarësh amerikanë përgatiten për të shkuar në Kosovë.

Këta ushtarë, pjesë e Gardës Kombëtare të Virxhinias, nuk nisen drejt rrezikut por do të punojnë në një bazë amerikane në Kosovën lindore për mirëmbajtjen e helikopterëve ushtarakë Black Hawk.

Kapiten Majkëll Gregori do të komandojë ekipin e ushtarëve prej 20 vetësh që do të merren me mirëmbajtjen e helikopterëve në bazën ushtarake amerikane Bondstill në Kosovë.

Pas një një viti e gjysmë trajnimi intensiv, kapiteni mendon se ekipi i tij është mjaft i përgatitur.

"Një nga gjërat që të mësojnë këtu është vemendja ndaj çdo hollësie, sepse nëse të shpëton diçka e vogël, ajo mund të kthehet në pengesë serioze."

Puna e tyre është e pabujshme por shumë e rëndësishme.

"Mirëmbajtja e helikopterëve është si mirëmbajtja e makinës. Po nuk i ndërrove vajin në kohë, të bllokohet motori."


Preokupimi numër një është që helikopteri të jetë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur atje ku kërkohet.

Në terrenin e thyer të Kosovës, këta helikopterë janë idealë për të transportuar trupa, municione dhe furnizime.

"Janë shumë të mirë për reagimet e shpejta, për vatrat e nxehta sa herë që lind nevoja për ndihmë. Me këta helikopterë ne mund të ndodhemi në çdo pikë të Kosovës brenda 20 minutash."


Kapiten Gaskins, një nga mjeshtrat e mirëmbajtjes, do të shërbejë si pilot prove për njësinë e mirëmbajtjes. Ai thotë se nuk ka qenë ndonjëherë në Kosovë.

"Për Kosovën di vetëm ato që kam parë në Internet. Peisazhi duket i bukur dhe pres të shikoj mjaft dëborë në dimër."


Majori Cotton Puryear nuk bën pjesë në këtë ekip por ai ka qenë më parë në Kosovë dhe thotë se diçka e befasoi së tepërmi:

"Gjatë trajnimit këtu në Amerikë ne na përgatisnin për situatën më të keqe. Mirëpo gjatë gjithë kohës që isha në Kosovë gjithçka kaloi shumë qetë. U habitëm shumë sepse me të cilindo që flisnim, shqiptarë apo serbë, të gjithë dëshironin paqen, dëshironin shanse ekonomike për familjet e tyre."


Për ata që kanë ardhur të përcjellin të afërmit e tyre, kjo është një ditë plot emocione por disa nuk e fshehin trishtimin.

Lizzie Rivero ka sjellë me vete 6 fëmijë të saj për të përcjellë bashkëshortin.

"Jam e mërzitur që ai po largohet por e di që Zoti është në kontroll. Ai është nën kujdesin e të plotfuqishmit dhe nuk ka pse të shqetësohemi. Thjesht jemi krenarë për të."

XS
SM
MD
LG