Lidhje

Një e ardhme me plot sfida për Afganistanin


Më 20 gusht në Afganistan mbahen zgjedhjet presidenciale, të dytat që nga rënia e Talebanëve në vitin 2001. Shqetësimi më i madh mbetet çështja e sigurisë - kryengritësit talebanë i kanë shtuar sulmet që synojnë të prishin procesin zgjedhor. Uashingtoni shpreson që zgjedhjet të kenë kredibilitetin e duhur, për të ndihmuar që operacionet e vështira ushtarake në këtë vend të kenë sukses.

Sulmi i talebanëve në ndërtesat qeveritare të një kryeqendre provinciale të hënën, ku u vranë dy policë dhe tre militantë, ishte një tjetër shenjë e vendosmërisë së rebelëve për të prishur procesin zgjedhor.

Zyrtarët thonë se dhuna në rritje e militantëve synon të dekurajojë pjesmarrjen në votime. Për të shtuar masat e sigurisë, trupat e Natos dhe ushtria afgane po ndërmarrin operacione kundër talebanëve, thotë gjeneral-brigate Erik Trembli.

“Ne do të vëmë në vend masat e sigurisë për të luftuar këtë kërcënim. Ka edhe kërcënime të tjera si sulmet vetvrasëse, etj.”

Por përfshirja e ndërkombëtarëve ka ngritur pikpyetje te disa afganë rreth legjitimitetit të zgjedhjeve. Disa madje besojnë se do të jenë forcat e huaja ato që do të caktojnë fituesin.

Por senatori Xhon Kerri i cili drejton Komisionin e Senatit për Marëdhënie me Jashtë e hedh poshtë këtë.

“Ato janë neutrale dhe kështu mendoj se do të jenë. I shikoj si zgjedhje afgane nga afganët dhe për afganët.”

Por senatori Kerri e pranon se mund të ketë probleme nëse zgjedhjet nuk rezultojnë legjitime.

“Mund të ketë dhunë ose mund të krijohet pamundësia për të qeverisur.”

Megjithëse popullariteti i tij po bie, presidenti Hamid Karzai kryeson mes 40 kandidatëve. Ish ministri i tij i jashtëm Abdullah Abdullaj duket se do të jetë një konkurrent i fortë. Një tjetër kandidat me peshë është ish ministri i financave, Ashraf Ghani.

Ndërkohë që anketat tregojnë avantazhin e zoti Karzai, nga një tjetër anketë del se ai mund të mos ketë vota të mjaftueshme për të shmangur një raund të dytë.

Presidenti afgan është kritikuar për pavendosmëri dhe paefektshmëri. Analistë si Anthoni Kordsman janë pesimistë reth së ardhmes së Afganistanit, nëse Karzai rifiton.

“Nëse ai fiton, atëhere do të ishin zgjedhje ku ndoshta votimi i popullit ishte legjitim. Por kur ai e ndan pushtetin me njerëz të korruptuar, me njerëz që luftojnë vetëm për interesat e tyre, a do të thotë kjo se zgjedhjet janë legjitime? Mendoj se jo.”

Por zgjedhjet shihen ndryshe nga të tjerë. Ambasadori amerikan Karl Ajkenberri thotë se gjërat duhen parë në një farë konteksti.

“Afganistani është demokracia më e re në botë. Përsa i përket demokracive të vjetra, po t’i hedhësh një vështrim historisë, zgjedhjet e tyre të para luajtën një rol kritik në institucionalizimin e demokracisë mes popullatave të tyre.”

Pavarësisht pengesave, kandidatët afganë po vazhdojnë fushatën ndërkohë që afrohen zgjedhjet e 20 gushtit. /ap




XS
SM
MD
LG