Lidhje

Shkaqet e mundshme të sulmeve të fundit në Bagdat


Kryeministri irakian, Nuri al-Maliki, fajësoi kryengritësit suni për shpërthimet e së mërkurës në Bagdat, nga të cilat të paktën 95 veta humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën. Sulmet kishin në shënjestër dy ndërtesa të rëndësishme qeveritare, Ministrinë e Jashtme dhe atë të Financave. Sipas disa analistëve, për shkak të kërcënimit të gjakderdhjes, trupat amerikane duhet të tërhiqen nga Iraku me ngadalë dhe pa afate kohore e jo siç është vendosur deri në fund të vitit 2011.

E mërkura ishte dita më e përgjakshme në Bagdat që kur trupat amerikane u tërhoqën nga qytetet irakiane në fund të qershorit.

Sulmi më shkatërrimtar ndodhi matanë rrugës ku ndodhet ministria e jashtme, ku një kamjon shpërtheu, duke shkatërruar trotuaret prej çimentoje e thyer dritaret e ndërtesës e duke shkaktuar një masë të veturave të djegura.

Pak minuta më parë, një kamjon tjetër shpërtheu pranë ministrisë së financave, duke goditur një patrullë ushtarake. Dy zona komerciale u shkatërruan nga shpërthimet e veçanta.

Asnjeri nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë dhunë, por kryeministri irakian, Nuri al-Maliki, fajësoi kryengritësit suni, që kanë lidhje me al-Kaidën. Ai tha se qeveria duhet të rishqyrtojë masat e sigurisë.

Gjenerali Frank Helmick është komandanti amerikan në krye të trajnimit të forcave irakiane. Gjatë një konference shtypi me gazetarët e transmetuar nga televizioni, ai nuk iu përgjigj pyetjeve specifike rreth sulmeve, por tha se është e qartë se masat e sigurisë nuk janë në nivelin e duhur.

“Këto sulme tregojnë qartazi se siguria nuk është vetëm një proces i vazhdueshëm, por edhe një angazhim pa fund. Edhe një sulm i vetëm në Irak është i tepërt”.

Analisti Steven Biddle, i cili ndjek situatën në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington, thotë se bëhet fjalë edhe për një faktor tjetër të rëndësishëm.

“Më shqetëson fakti se sulmet e fundit në Bagdat pasqyrojnë shqetësimet e komunitetit suni, e jo vetëm al-Kaida në Irak, rreth fatit të tyre të mundshëm nën një qeveri të kryeministrit Maliki, e mbizotëruar nga shiitët, sapo Shtetet e Bashkuara të tërhiqen plotësisht nga Iraku”.

Kryeministri Maliki thotë se kryengritësit suni përfituan nga përpjekjet e qeverisë për të rivendosur gjendjen normale. Qeveria ka hequr kohët e fundit barikadat prej betoni në rrugët kryesore të Bagdatit, që ishin ngritur për të parandaluar dhunën.

Por analisti Biddle thotë se problemi shtrihet matanë barikadave prej betoni. Ai thotë se komuniteti suni ndjehet se nuk është i përfaqësuar drejtë në qeverinë e mbizotëruar nga shiitët.

“Komuniteti suni ka pritur nga qeveria që të mbajë pretimet për t’i punësuar ata në forcat e sigurimit irakian e për t’i përfshirë ata në të ardhmen ekonomike të vendit. Kjo nuk ka ndodhur. Prandaj mendoj se pjesë e shtimit të dhunës ka të bëjë ndjenjat e komunitetit suni, i cili po përpiqet t’i transmetojë qeverisë së al-Malikit mesazhin se ai do të paguajë nëse tërhiqet nga marrëveshjet, që kishte arritur”.

Analisti Biddle thotë se forcat irakiane të sigurimit do ta kenë të vështirë të ndalojnë sulmet e sunive, në qoftë se këta të fundit nuk vendosin t’i ndalojnë ato siç vepruan në vitin 2007.

Për shkak të kërcënimit të gjakderdhjes, zoti Biddle thotë se trupat amerikane duhet të tërhiqen nga Iraku me ngadalë dhe pa afate kohore e jo siç është vendosur që të tërhiqen deri në fund të vitit 2011.

Kabineti i kryeministrit al-Maliki propozoi këtë javë që një referendum të mbahet në janar se për sa kohë duhet të qëndrojnë trupat amerikane në Irak.

Analistët thonë se në se referendumi do të mbahej, irakianët ka të ngjarë të votojnë për tërheqjen e trupave amerikane një vit më parë. (ze)

XS
SM
MD
LG