Lidhje

Me artistin shqiptar Kreshnik Xhiku


Uashingtoni vërtet njihet si një qytet politik por ai ka edhe një aspekt tjetër për të cilin flitet shumë më pak – artin. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte këto ditë në një ekspozitë të përvitshme arti, ku çmimin e parë në skulpturë e fitoi artisti shqiptar, Kreshnik Xhiku, i cili banon në zonën e Uashingtonit.

Kreshnik Xhiku është fitues i çmimit të parë për skulpturën në këtë ekspozitë arti pranë Uashingtonit.

Një punim i tij prej druri, i vendosur pranë krijimeve të tjera të artistëve amerikanë sjell këtu një grimcë nga Shqipëria e largët dhe josh vështrimet kurioze të dhjetra vizitorëve.

Ekspozita ndodhet në Qytetin e Vjetër Alexandria, në periferi të kryeqytetit amerikan dhe përfshin dhjetra punime – piktura dhe skulptura.

Secili autor përpiqet të marrë çmimin më të lartë ose të paktën të mund të paraqesë një vepër. Është më tepër një çështje prestigji por edhe konkurrence:"Këtu ka shumë galeri, jeta artistike është shumë aktive dhe gara është shumë e fortë, nuk është dhe aq e lehtë"

Sigurisht nuk është e lehtë po të gjykosh nga punimet e ekspozuara. Por ky dru ulliri, i punuar me delikatesë dhe që duket sikur rrëfen një përrallë nga Shqipëria e largët, mori vlerësime maksimale. "Nuk ka ndonjë lidhje konkrete me ndonjë formë të caktuar. Mbase ka idera dhe kujtime nga gjërat që kam parë ndoshta në Shqipëri. Njeriu nuk e di se ku i mbledh ato impresione vizuale."

Toni DiFrancesco është nxënës i Kreshnikut dhe paraqitet në galeri me një punim të quajtur "Civilizimi". Nuk dëshiron të mburrë mësuesin, thjesht flet nga zemra.

"Kreshniku ka sy për anatomi, për gjeste, për pasion prandaj punimet e tij janë të sakta nga pikëpamja anatomike, kanë shumë jetë brenda tyre dhe, si nxënës që kam marrë mësime prej tij, më frymëzojnë,"thote DiFrancesco.

Kreshniku na i shpjegon keshtu preferencat e tij:

"Kam vite që punoj me artin konceptual dhe me dru kam punuar më shumë. Më pëlqen puna me drurin por më pëlqen procesi i punës me drurin sepse edhe procesi i krijimit ka rëndësinë e tij, që të të japë një lloj kënaqësie…"

Nëpër këtë proces ka kaluar ai kur ka krijuar edhe këtë art që sot ndodhet i ekspozuar ose në objekte sociale, në galeri private ose në natyrë si monumenti i Skënderbeut prej bronxi i vendosur pranë Kishës katolike shqiptare të Shën Palit në Rochester Hills të Miçiganit.

"Kam punuar kohët e fundit me një projekt monumenti që do të vendoset në qytetin e Klivlendit, një monument dedikuar Nënë Terezës…"

Monumenti do të vendoset në një pikë me domethënie të veçantë për Klivlendin: në kopshtin shqiptar, i cili do të jetë pjesë e një kompleksi kulturor ndërkombëtar të ngritur gjatë dhjetra viteve.

"Kopshti shqiptar është përkrah me kopshte, si ai italian, gjerman apo indian dhe secili vend përfaqësohet me personalitetet e tij. Komuniteti shqiptar i Klivlendit e ka inciuar këtë ide dhe ideja është që në gusht të vitit 2010, kopshti bashkë me statujën e Nënë Terezës të jetë mbaruar." //rd//

XS
SM
MD
LG